132 vjet nga lindja e ushtarit dhe aktivistit të çështjes kombëtare, Abaz Kupi

6 Gusht, 2024 - 4:28 pm

Abaz Kupi  i lindur më 6 gusht 1892 në lagjen Varosh të Krujës, i njohur dhe si Bazi i Canës (Abazi i Hasanit), ishte ushtarak dhe aktivist i çështjes kombëtare gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Në ditët e zbarkimit të fashistëve italianë në vendin tonë, më 7 prill 1939,  udhëhoqi qëndresën e repartit ushtarak të Durrësit (1932-1939), qëndresë e cila zgjati 36 orë dhe e shndërroi atë në një ikonë.

Me pushtimin e Shqipërisë u largua në Stamboll dhe në qershor të vitit 1939 familja e tij u internua në Himarë. Rikthehet në atdhe me përkrahjen e ambasadës angleze në Beograd për të organizuar qëndresën kundër pushtuesit bashkë me të vëllanë, Ibrahimin, gjë që e bëri me shpenzimet e tij.

Ishte një ndër organizatorët dhe pjesëmarrësit kryesorë të Mbledhjes së Pezës të mbajtur më 16 shtator 1942 si dhe u zgjodh anëtar i KANÇ. U bë gjithashtu nismëtari Konferencës së Mukjes të mbajtur në datat 1-2 gusht 1943 për të arritur bashkëpunimin midis Frontit Nacional Çlirimtar dhe Ballit Kombëtar.

Kur Enver Hoxha hodhi poshtë Marrëveshjen e Mukjes me Konferencën e Labinotit në shtator 1943, Abaz Kupi u largua më 19 nëntor 1943 nga Kryesia e Këshillit të Përgjithshëm Nacional-Çlirimtar. Më 21 nëntor formoi Lëvizjen e Legalitetit që mësynte në rikthimin e Mbretit Zog në Shqipëri. Pas kësaj udhëheqja e Partisë Komuniste urdhëroi asgjësimin fizik të Abaz Kupit.

Më 24 tetor 1944 u largua nga atdheu nëpërmjet një barke të siguruar nga Ihsan Toptani në Shkodër, bashkë me dy bijtë e tij Petritin, Rustemin dhe përkthyesin Gaqo Goga. Udhëtuan për 6 ditë pa ushqim e pa ujë derisa u gjetën nga një anije pastruese-minash kanadeze që i çoi në Brindizi të Italisë. Pjesa tjetër e familjes qëndroi në Shkodër. Djali i vogël, Fatbardhi, u arrestua më 1945, ndërsa pjesa tjetër e familjes, bashkëshortja e tij dhe vajzat, do të internoheshin në Tepelenë e më pas në kampet e internimit të Myzeqesë.

Në emigracion u mor me organizimin e mërgimtarëve për një bashkim politik e më pas u aktivizua në komitetin “Shqipëria e Lirë” me president Mit’hat bej Frashërin.

Më 7 korrik 1949 u emërua president i Juntës ushtarake, nën projektin “Valuable” (organizëm kontrollues i operacioneve ushtarake sekrete për destabilizimin e regjimit komunist në Shqipëri). Në 1968-ën zhvendoset drejt Shteteve të Bashkuara ku më vonë ndërron jetë më 9 janar 1976 në New York. Trupi i tij prehet në Kew Gardens Cimitery në Queens. /ata/ KultPlus.com

Të ngjajshme