Presidentja Osmani ka mbështetë transportin e shtatores së Skenderbeut në Itali, përuruimi më 30 gusht

7 Gusht, 2024 - 12:15 pm

Me iniciativën e shoqatës “Hora e Skenderbeut”, mërgimtarët shqiptarë kanë ndihmuar në financimin e realizimit të shtatores së Gjergj Kastriotit Skenderbeu, shtatore që do të përurohet më 30 gusht në Horën e Arbëresheve, shkruan KultPlus.

Kjo shtatore është punuar nga Gëzim Muriqi, ndërkohë, organizatorët kanë bërë të ditur për KultPlus se shtatorja tashmë ka arritë në Itali dhe se trasnporti i shtatores është mbështetë nga presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani.

“Dhurata për arbëreshët bëhet në shenjë mirënjohjeje për kontributin e tyre në ruajtjen e gjuhës, kulturës e traditës arbërore për më shumë se pesë shekuj. Po ashtu arbëreshët kanë dhënë një kontribut të rëndësishëm gjatë luftës në Kosovë më 1998-1999, kur ata hapën dyert e zemrat për kosovarët, të cilët ishin të dëbuar dhunshëm nga forcat serbe, gjatë zbatimit të planit të gjenocidit”, thuhet në njoftimin e organizatorëve.

Kjo shtatore do të vendoset në sheshin përballë bashkisë në Horën e Arbëreshëvet (Piana degli Albanesi) në Sicili. Inaugurimi i saj do të bëhet më 30 gusht 2024, që përkon edhe me datën e themelimit të qytetit i cili daton nga viti 1488.

Shoqata „Hora e Skënderbeut“ falënderon të gjithë mërgimtarët, shoqatat, klubet, e bizneset e shumta të cilët me kontributin e donacionet e tyre kanë bërë të mundur që të jemi shumë afër realizimit të këtij projekti./ KultPlus.com

Të ngjajshme