7 Gusht, 2024 - 5:56 pm
Një ekspozitë e veçantë dedikuar rilevimeve dhe hartimit të projekteve për 22 objekte që mbajnë statusin monument kulture, vjen si një bashkëpunim mes Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Shkodër dhe Universitetit Polis.
Ekspozita synon të tregojë rëndësinë e ruajtjes dhe restaurimit të trashëgimisë kulturore përmes teknologjive moderne dhe metodave tradicionale, ku përfshin rilevime të detajuara të banesave historike, projekte restaurimi si dhe analiza të gjendjes aktuale të strukturave.
Një nga aspektet kryesore të ekspozitës ishin pasqyrimet e rilevimeve të bëra në terren, ku studentët, në bashkëpunim me specialistët e DRTK Shkodër, përdorën teknologji të avancuara si skanimi 3D dhe fotogrametria për të krijuar modele të sakta të këtyre objekteve.
Në vijim, këto rilevime ofrojnë një bazë të rëndësishme për planifikimin e restaurimeve të ardhshme të këtyre objekteve duke respektuar karakteristikat historike dhe arkitektonike të tyre.
DRTK Shkodër tha se, kjo ekspoze në Universitetin Polis është tregues i rëndësisë së bashkëpunimit dhe angazhimit ndërinstitucional dhe do ndiqet si një fazë e dytë për vënien në praktikë të këtyre plan projekteve që i shërbejnë dhe promovimit të praktikave më të mira të bashkëpunimit në ruajtjen e trashëgimisë kulturore në Shqipëri./atsh/ KultPlus.com