Ikona e Joan Pagëzorit, vepër e vitit 1778, restauruar nga MKMA

8 Gusht, 2024 - 2:32 pm

Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar prezantoi për publikun ikonën e Joan Pagëzorit, e pikturuar në 1778 nga një autor anonim dhe që gjendet në fondin e MKAM.

Ikona paraqiste problematika në të gjithë komponentët e saj, por pas ndërhyrjeve dolën në pah vlerat origjinale të veprës. U trajtua suporti i drunjtë, shtresat e shkëputura të gruntit dhe pikturës dhe në fund u largua verniku i degraduar.

Kjo ikonë vjen nga fshati Leusë, Përmet. Ikona me përmasa 58.5 x 82 cm ka qenë vendosur në ikonostasin e një prej kishave të këtij fshati.

Joan Pagësori paraqitet më këmbë dhe me flatra në sfondin e një peizazhi me kodra dhe pemë, poshtë tij në të majtë paraqitet pjata me kokën e tij të prerë ndërsa në të djathtë, është pikturuar pema me degën e prerë dhe sopatën e varur në të. Në bishtin e kësaj të fundit shpaloset një pergamen i hapur.

Shenjtori, i cili qëndron në një sfond të artë, ka veshur lëkurë deveje në ngjyrë të purpurt dhe një mantel të gjelbër, pjesa e brendshme e tij është në ngjyrë blu.

Vizatimi i figurës është mjeshtëror, draperia shpaloset plot dinamizëm dhe gjestura e shenjtit plot elegancë. Me dorën e djathtë ai bën shenjën e bekimit, ndërsa në të majtën mban një gotë që simbolizon kupën e kungimit. Brenda saj është pikturuar Krishti fëmijë me mbishkrimin “Ky është qengji i Perëndisë që mbart mëkatin e botës”. Po në këtë dorë Pagëzori mban një pergamenë të hapur ku shkruhet “Pendohuni se po afron mbretëria e qiejve”./ KultPlus.com

Të ngjajshme