16 Gusht, 2024 - 5:30 pm
Festivali Etnofest, tashmë i njohur për ndërthurjen e kulturës, traditës dhe reflektimit mbi tema të thella të qenies njerëzore, këtë vit është përqendruar në konceptin e lumturisë. Në edicionin e tij të fundit, që filloi më 10 gusht dhe përfundon më 18 gusht, festivali ka sjellë një mori aktivitetesh kulturore dhe intelektuale, duke ndriçuar aspekte të ndryshme të lumturisë dhe trashëgimisë kulturore.
Alisa Buzhala
Dita e gjashtë e festivalit shënoi një ndër ngjarjet më të veçanta, me një debat të thellë filozofik mbi lumturinë, të ndjekur nga performanca artistike që ngjallën kujtime dhe ndjenja të forta tek të pranishmit.
Në pasditen e ditës së enjte, për publikun, programi u hap nga Sheqerie Bucaj e cila interpretoi vargjet e poezisë së Sibel Halimit, duke sjellë në pah dilemat mbi lumturinë dhe përjetimin e saj, si një parathënie për të vazhduar me debatin kyç të këtij edicioni.
Gjatë viteve, ky festival është formësuar mbi shtylla bazë, përmes të cilave çdo edicion është pasuruar me programin e ndërlidhur rreth tematikës së zgjedhur.
Dy vitet e mëparshme u përqendruan në dashurinë dhe lirinë, ndërsa këtë vit, “Lumturia” u përjetësua mbi themelet e këtyre dy aspekteve, si dy emocione që çojnë qenien njerëzore drejt një përjetimi të thellë lumturie. Ndaj edhe debati me te ftuar trajtoj temën e lumturisë mbi teori të ndryshme.
Në panelin e diskutimit ishin të ftuar Nezir Kraki, profesor i filozofisë; Agim Selimi, psikiatër dhe regjisor filmi; dhe Naim Telaku, psikolog. Organizatori i këtij festivali, profesori Fadil Hysaj, citoi se përkufizimi i lumturisë është pothuajse i pamundur, ai theksoi se njohja shpirtërore dhe ushqyerja e saj e çon njeriun drejt lirisë së brendshme, e cila lejon të arrihen pikat e lumturisë.
Gjatë debatit, akademiku i artit foli për frikën si burim kryesor i palumturisë – frika nga mos suksesi, frika nga dështimi, dhe frika nga mos qenurit vetja. Ai shpjegoi se lirimi nga këto ndjenja çliron lumturinë e akumuluar. Publiku dëgjoi me kureshtje të madhe pikëpamjet e secilit folës në këtë debat.
Sipas Nezir Krakit, lumturia është një proces, një synim që nxit njeriun të kërkojë diçka të re. Ai theksoi gjithashtu se lumturia mund të ndikohet nga historia personale dhe profesionale, si dhe nga mjedisi ku jetojmë dhe formohemi.
Ndërsa, Agim Selimi shpjegoi se lumturia ndërtohet ose vjen si rezultat i ruajtjes së gjendjes së brendshme, lirisë si mundësi e zgjedhjeve në jetë, kompetencave dhe argëtimit.
Në aspektin psikologjik, Naim Telaku tregoi se lumturia nuk është një gjendje konstante, por një ekuilibër mes aspekteve negative dhe pozitive, ku mbizotëron pozitivja.
Megjithatë, prania e emocioneve të pakëndshme ofron kontrastin e domosdoshëm që e bën njeriun ta ndiejë dhe përjetojë lumturinë. Si përkufizim praktik, psikologu theksoi se lumturia është aftësia e brendshme për t’u kënaqur me pak, për të gjetur kënaqësi në gjëra të vogla, për të ndjekur qëllime kërkuese të shpeshta, për të pasur pasion në atë që bën, dhe për të zotëruar kapacitetin për të shkëputur nga egoja dhe për të rrjedhur me përjetimet e mjedisit.
Një tjetër aspekt i rëndësishëm i lumturisë u cilësua edhe raporti me të tjerët, i cili mund të përshpejtojë lumturinë dhe të mirëmbajë shëndetin mendor.
Ky debat domethënës dhe potencialisht i nevojshëm, dëshmoi edhe një herë se ky festival arrin të analizojë dhe strukturojë shumë dimensione të thelbit të njeriut. Nga bazat e origjinës përmes traditës, deri te emocionet e brendshme që pasqyrojnë formësimin tonë si individë dhe si shoqëri.
Pas përfundimit të këtij debati, programi artistik u hap me Ansamblin “Deçani”. Ky ansambël, i udhëhequr nga Genc Tetaj, u rikthye në festival për herë të dytë, duke ruajtur si suvenir çmimin që kishin fituar vite më parë në të njëjtin festival.
Karakteristike e këtij ansambli ishte kostumi i vjetër i veshur nga vajzat që interpretuan këngë e valle, që ruajnë gjallë traditën e rajonit të Dukagjinit. Nga kjo paraqitje, Etnofest preku edhe një pjesë të rëndësishme të trashëgimisë kulturore, atë të kostumografisë.
Pas kësaj, Klubi “Alpin Podguri” nga Istogu performoi lojën tradicionale me kapuçë, e cila cilësohet si loja që kërkon fokus dhe inteligjencë, ndër më të popullarizuarat ndër shqiptarë, e drejtuar nga Sadik Maxharraj dhe Shasivar Haxhijaj.
Loja me kapuça përmban jo vetëm procesin e lojës, por edhe këngën thumbuese ndaj humbësit të kësaj loje. Zhvillimi i lojës para publikut ngjalli kujtime tek ata që e kishin përjetuar kohën kur kjo lojë luhej në odat familjare mes miqsh, ndërsa për të rinjtë e pranishëm u pa me kureshtje për procesin dhe përfundimin e saj.
Kështu, edhe nata e gjashtë e Etnofestit u përmbyll me nejen e këndshme të mbrëmjes, tashmë pjesë e rëndësishme e argëtimit për të gjithë të pranishmit. Kësaj here, nën zërin e Vesa Smolicës, e cila këndoi këngë të rrymave të ndryshme muzikore, nga ato në gjuhën angleze si hite botërore e deri te këngët e vjetra shqipe, të risjellura në stilin e saj.
Ky edicion i Etnofest, i cili filloi më 10 gusht dhe përfundon më 18 gusht, dëshmon edhe një herë se përkushtimi ndaj traditave kulturore, trashëgimisë dhe tematikave që prekin thelbin njerëzor, mbetet në zemrën e këtij festivali. Etnofest vazhdon të jetë një urë lidhëse mes të shkuarës dhe të tashmes, duke ofruar një hapësirë unike për reflektim, diskutim dhe përjetim artistik./KultPlus.com