Ringrihet Kulla e Çunmulajve dhe kthehet në muze të Malësisë

17 Gusht, 2024 - 6:31 pm

Në Hot të Malësisë së Madhe u zhvillua ceremonia e përfundimit të punimeve për ringritjen e kullës së njohur të Çunmulajve dhe shndërrimin e saj në Muze të Malësisë. Fisi i Çunmulajve ka nxjerrë figura te shquara që kanë lënë gjurmë në historinë e kombit dhe Malësisë për përpjekjet e tyre në mbrojtje te identitetit dhe trojeve shqiptare, mes të cilëve shquhet prijësi dhe luftëtari popullor Çun Mula, pjesëmarrës në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit. Siç njofton nga Hoti i Malësisë së Madhe, korrespondenti i Zërit të Amerikës, Pëllumb Sulo, Kulla e Çunmulajve u braktis dhe thuajse u rrënua gjatë periudhës së komunizmit, ndërsa trashëgimtarët e Çunmulajve u internuan dhe burgosen.

Ceremonia e përurimit të përfundimit të punimeve për ringritjen e Kullës së Çunmulajve dhe shndërrimin e saj në muze mblodhi në Hot të Malësisë së Madhe banorë të Malësisë, të Shkodrës, Tuzit e Trieshit si dhe përfaqësues të shqiptarëve të Amerikës, të cilët kontribuan për ringritjen e kullës.

Pllakën me mbishkrimin “Kulla e Bajraktarëve të Hotit, Muzeu Malësia e Madhe” e zbuloi kryebashkiaku i Malësisë së Madhe, Tonin Marinaj së bashku me nismëtarin për ringritjen e kullës, drejtuesin e shoqatës “Kulla e Bajraktarëve të Hotit”, Arjan Bajraktarin.

Duke folur në ceremoninë e rastit, Arjan Bajraktari vlerësoi faktin se kjo nisëm kulturore dhe historike gjeti mbështetjen masive të malësorëve, në të dy anët e kufirit, por edhe në diasporë duke i dhënë kështu Malësisë një nga dëshmitë më të rëndësishme të identitetit të vet.

“Në atë ditë jo të largët, 12 shkurtit 2022, këtu në Hot, në këtë oborr, në çeljen e fushatës ku donator i parë ishte Mark Gjoku Ulaj që dhuronte 5 mijë dollarë në emër të vëllazërisë së tij, ndoshta askush nuk e mendonte se kjo fushatë për mbledhjen e fondeve do të merrte përpjesëtime kaq masive sa do të mund të arrinim sot, më 16 gusht 2024, të inauguronim përfundimin e punimeve të rinovimit të kullës, për më tepër, me një koncept muzeal modest”, tha ai.

Kulla e Çunmulajve, në Hot të Malësisë së Madhe, i ka fillimet e saj rreth viteve 1770-1780 për të rrugëtuar gjatë shekujve duke lënë gjurmë të rëndësishme në historinë e Malësisë dhe kombit përmes prijësve dhe luftëtarëve popullorë të Çunmulajve, të cilët i prijnë Hotit dhe Malësisë në luftërat kundër ushtrive osmane dhe atyre malazeze në mbrojtje të kufijve kombëtar.

Mes tyre shquhet bajraktari i Hotit, Çun Mula, një nga figurat më të rëndësishme të Malësisë, pjesëmarrës në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit dhe në betejat për mbrojtjen e trojeve shqiptare. Pas vendosjes së komunizmit, trashëgimtarët e Çunmulajve u internuan dhe burgosën, ndërsa kulla e tyre nisi braktisjen dhe rrënimin.

Profesor Lekë Junçaj duke folur për historinë e kullës dhe trashëgimtarëve të saj tha mes të tjerash se ajo ishte një kështjellë arbërore.

“Kjo godinë gjigante nuk ishte vetëm kullë rezidence, por ishte kryeqendra e Hotit, epiqendër e shtatë maleve të Malësisë për tubimet, angazhimet, pajtimet dhe besëlidhjet e shumta të popullit të shumëvuajtur malësor. Ishte një kështjellë arbërore, mbrojtëse e trojeve dhe vlerave tona më të mira, nga ku me shekuj u mbrojt kufiri veri-perëndimor nga invazionet serbo-malazeze”, thotë ai.

Për ringritjen e Kullës së Çunmulajve kanë dhënë kontributet e tyre financiare rreth 500 persona nga Shqipëria, Kosova, shqiptarët në Mal të Zi, Europa, Kanadaja dhe SHBA.

I ardhur nga New Jorku, ku ka emigruar prej 50 vitesh, Mark Gjok Ulaj thotë se kjo ka dëshmuar vlerësimin e madh të malësorëve për bajraktarin e Hotit, Çun Mulën, dhe gjithë pjesëtarët e fisit të Çunmulajve.

“Çun Mula i Hotit i ka prirë tanë bajrakut të Hotit dhe ka qenë një ndër burrat ma të mirë që ka mujt me pasë kombi shqiptar. Mbas tij, të gjithë kanë ardhë secili ma i mirë se tjetri. Mul Delija ka qenë bajraktari i Hotit. Ka qenë kapedani që e ka kryer shkollën në Itali edhe e ka shpëtu Malësinë e Madhe, kur ka hy komunizmi, për mos me u vra vëllau me vlla”, thotë ai.

Megjithëse shumë larg vendlindjes, shqiptarët që kanë emigruar prej vitesh në Amerikë, vazhdojnë të mbajnë gjallë historinë e Hotit të Malësisë së Madhe dhe prijësve e luftëtarëve popullorë, që u prinë malësorëve ndër shekuj.

Përfaqësuesi i malësorëve nga Michigani, Gjokë Martin Noni Junçaj, tha se me rindërtimin e kullës së Çunmulajve malësorët dëshmuan se i ruajnë dhe trashëgojnë vlerat e tyre.

“Kur kam dëgjuar për këtë projekt e kam çmuar vlerën që ai ka për popullin tonë. Ne, të gjithë e dijmë se, gjithçka që lind duhet edhe me vdekë. Po historia e shqiptarëve kurrë nuk vdes. Sot e kemi nderu Çun Mulën edhe tanë Malësinë dhe shqiptarizmin”, thotë ai.

Kulla dy katëshe e Çunmulajve tashmë shfaqet e ringritur në mes të fushës së Hotit, pranë kishës së ndërtuar disa vite më parë, edhe ajo me kontributin e shqiptarëve të Amerikës./VOA/ KultPlus.com

Të ngjajshme