Kumbaro: Turistë nga e gjithë bota në Qafën e Pazarit në Gjirokastër

19 Gusht, 2024 - 11:28 pm

Qyteti i gurtë i Gjirokastrës gjatë këtij viti ka shënuar një fluks të lartë turistësh vendas e të huaj.

Qendra muzeale e qytetit është destinacioni fillestar, pasi të gjithë turistët e nisin vizitën nga kalaja e qytetit.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ftoi sot turistët që të vizitojnë Gjirokastrën, si një destinacion që “i ofron të tëra”.

“Shi në plazh? Asnjë problem! Kemi Gjirokastrën që i ka të tëra. Ju presim te Qafa e Pazarit ku java nisi plot me turistë nga e gjithë bota”, u shpreh ajo.

Ndër destinacionet më të preferuara për turistët janë Pazari karakteristik, kalaja e Argjiros, banesat karakteristike të Zekatëve, Skëndulajve, Parku Natyror i Viroit apo vlerat e trashëgimisë kulturore në njësitë administrative si Parku Arkeologjik i Antigonesë, objektet e kultit.

Gjatë këtij viti bashkia e Gjirokastrës ka organizuar një sërë aktivitetesh kulturore dhe artistike për promovimin e vlerave të folkut, traditës, etj.

Turistët që vizitojnë qytetin e gurtë mbeten përherë të mahnitur nga paketa e plotë turistike që u ofron qyteti dhe rrethinat përreth. Gjirokastra po renditet përherë e më shumë në qytetet elitare të turizmit shqiptar, duke thithur një numër gjithnjë në rritje të turistëve.

E njohur për shtëpitë e veta karakteristike, çatitë prej guri dhe muret e bardha, Gjirokastra është një nga pikat kryesore të turizmit në vend. Kalaja e gurtë dhe parku i Antigonesë vazhdojnë të ngelen më të preferuarat për t’u vizituar nga grupet turistike vendase dhe të huaja përgjatë guidave dhe udhëtimeve të tyre në zonën e Gjirokastrës.

Të ngjajshme