Rama: 67 mijë vizitorë gjatë korrikut në parkun Divjakë-Karavasta

22 Gusht, 2024 - 8:57 am

I cilësuar si një nga parqet Kombëtare më të vizituara për turizmin natyror dhe atë të vëzhgimit të shpendëve ujorë, Divjakë-Karavasta vitet e fundit është kthyer në destinacionin e mijëra turistëve vendas e të huaj.

Vetëm gjatë muajit korrik, Parku Kombëtar Divjakë-Karavasta priti 67 mijë vizitorë.

Shifrat i bëri të ditura sot kryeministri Edi Rama, ndërsa publikoi pamje nga ky park, i cili shtrihet rreth 5 km larg Divjakës.

Parku Kombëtar Divjakë-Karavasta, shpallur zonë e natyrore e mbrojtur që nga vitit 1995 dhe zgjeruar si park nga 22 230.2 ha në 22 389.08 ha, përbëhet nga ekosisteme komplekse, shumë të pasura në biodiversitet dhe burime natyrore.

Si një ndër zonat më të rëndësishme komplekse të Shqipërisë për sa i përket biodiversitetit, Parku Kombëtar Divjakë-Karavasta strehon përqendrimin më të lartë të shpendëve ujore.

Turistëve në këtë park iu ofrohet një guidë prej 5 km, ku ata njihen me gjallesat dhe bimësinë e parkut. Gjatë vizitës në park turistët mund të zhvillojnë disa lloje aktivitetesh si ecje në natyre (rreth 50 km shtigje), vëzhgimi i shpendëve,  piknik, vozitje me varkë, kamping, xhiro me biçikleta, kajak dhe vizitë në site arkeologjike dhe ato fetare.

Kulla panoramike, varkat për të shëtitur vijën ujore përgjatë gjithë parkut, pylli i gjelbëruar dhe me larmishmëri shpendësh janë disa nga aventurat që nuk duhen humbur kur viziton këtë park të rijetësuar.

Vendet më të preferuara nga vizitorët janë “Ishulli i Pelikanit”, Këneta e Madhe ku jeton Pelikani, por edhe shpendë të tjerë dhe Këneta e Vogël, ku kryesisht strehohen flamingot dhe rosat e egra./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme