Rama ndan pamje nga Lini turistik: Qetësia e liqenit ndërthurur me shijen e produkteve “Made in Albania”

30 Gusht, 2024 - 11:24 am

Lini, fshati i vogël buzë liqenit të Ohrit, 22 km nga qyteti i Pogradecit, me një bukuri të rrallë dhe peizazh mahnitës pret mijëra turistë në çdo stinë.

Me shtëpitë e vogla të ndërtuara buzë ujit, në shpinën e një kodre jo shumë të lartë, me rrugica të vogla e të ngushta, të shtruara me gurë të vegjël, ku vështirë se mund të kalosh me makinë, Lini zgjon interesin e gjithë vizitorëve apo turistëve vendas e të huaj.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje të mrekullueshme nga Lini, në Pogradec ku “qetësia që të fal liqeni, ndërthuret në harmoni të plotë me prodhimet e stinës nga duart e arta të zonjave punëtore që ofrojnë për turistët dhe vendasit shijen e produkteve ‘Made in Albania’”.

Bazilika Paleokristiane e Linit, një monument i shekullit VI, përfaqëson një nga veprat më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore në Shqipëri.

Mozaiku i Linit, tashmë i restauruar, është një trashëgimi e çmuar kulturore dhe njëkohësisht konsiderohet si më i veçanti nga të gjithë mozaikët e tjerë me karakteristika fetare.

Po ashtu, në Lin ka disa plazhe të këndshme me ujë të kristaltë, me rërë dhe guralecë të vegjël.

Një vend i bukur për piknik është edhe vendi i quajtur “Mulliri i Vjetër”, me burime gurgulluese dhe hije pemësh./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme