7 Shtator, 2024 - 1:13 pm
Muzeu Historik Kombëtar përkujton sot 7 shtatorin 1910, ditën kur lindi Aleks Buda.
Mësimet e para, i nisi kur ishte 7 vjeç në shkollën fillore të qytetit të lindjes. Pa kryer klasën e dytë i vijoi studimet në Leçe të Italisë. Më 1920 bashkë me dy vëllezërit e tij shkon me studime në Austri. Atje plotësoi filloren dhe kreu më 1929 gjimnazin në Salzburg.
Më tej ndoqi studimet në Universitetin e Vjenës, në Institutin Ballkanistik, në vitet 1930 – 1935 ku mori mësime nga profesorë të njohur, si Karl Paç, Reiniger dhe Norbert Jokl. Gjatë kësaj periudhe u aktivizua në Shoqëninë e studentëve shqiptarë Albania të Vjenës, së bashku me Lasgush Poradecin, Skënder Luarasin, Eqrem Çabejn, Krist Malokun, Qemal Butkën etj., duke qenë edhe bashkëpunëtor i revistës “Dialëria” të kësaj shoqërie.
Në vitin 1938 u kthye në Shqipëri. Punoi së pari, si arsimtar në Gjimnazin e Tiranës. U lidh me Lëvizjen Nacionalçlirimtare dhe më 1944 u zgjodh nënkryetar i Këshillit Antifashist të qarkut të Elbasanit. Në vitin 1955 u bë njëri nga organizatorët dhe studiuesit më me përvojë të Institutit të Historisë dhe të Gjuhësisë, i sapokrijuar.
Me krijimin e Universitetit të Tiranës më 1957, Aleks Buda do të ishte një nga themeluesit e katedrës së historisë dhe të kursit të historisë së Shqipërisë në këtë universitet.
Aleks Buda vdiq pas një sëmundjeje të rëndë, në Tiranë, më 7 korrik 1993./atsh/ KultPlus.com