7 Shtator, 2024 - 1:42 pm
“Karnavalet e Korçës” ishte vepra më e mirë e Festivalit Mbarëkombëtar të Komedisë. Vepra me regji të Erion Isait korri shumë duartrokitje në natën e fundit të edicionit të 11-të të Koko Fest.
Regjisori i shfaqjes më të mirë, Erion Isai, u shpreh mirënjohës për gjithë ekipin, për orët, ditët, shpirtin e djersën e derdhur në dërrasat e skenës si dhe që bënë mjeshtërisht dritën dhe sharmin e krijimtarisë.
“Ndihem plot e i motivuar se po, vepra shqiptare ka dinjitet”, shkroi Isai në rrjetet sociale.
Figurat aq të dashura që krijoi Spiro Çomora, Nikollaqi, Olimbia dhe Afroviti, si dhe personazhet e tjerë u ngjitën në skenë nga një kast aktorësh të përzgjedhur.
Aktori korçar Arben Dervishi, i cili u rikthye në skenë pas 12 vitesh shkëputje ishte në rolin e tregtarit Nikollaq Jorganxhi, aktorja Zamira Kita në rolin e Olimbisë, aktorja Paola Kodra në rolin e Afrovitit, për të vijuar dhe me të tjerë personazhe.
Juria e festivalit vlerësoi për regjinë të mirë, Fatos Berishën ndërsa çmimi i karrierës shkoi për Leka Bungon./atsh/ KultPlus.com