18 Maj, 2018 - 10:30 am
Maqedonia dhe Greqia kanë arritur marrëveshje sa i përket ndryshimit të emrit të Maqedonisë.
Kryeministri maqedon, Zoran Zaev dhe ai grek, Alexis Tsipras janë pajtuar në Samitin e Sofjes që emri i ri i Maqedonisë, të jetë “Republika e Maqedonisë së Ilindenit”, njofton Klan Kosova.
Ilindeni është Dita e Republikës së Maqedonisë.
Me këtë marrëveshje që ende nuk është konfirmuar, do t’i hapet rrugë anëtarësimit të Maqedonisë së BE dhe Aleancën Veri-atlantike.
Përveç “Republika e Maqedonisë së Ilindenit” opsion kanë qenë edhe emra tjerë si “Maqedonia e Epërme” ose “Republika e Maqedonisë së Shkupit”.
Analisti, Ylber Sela, ka thënë për Zona B direkt nga Sofja se mes Zaev dhe Tsipras është përmbyllur pjesa e parë e finales. Ai ka shtuar se edhe shqiptarët e Maqedonisë janë pjesë përbërëse e kësaj zgjidhjeje të arritur.
“Sot është ditë historike për Maqedoninë pasi interesi i shqiptarëvë është që Maqedonia të bëhet anëtare e NATO-s dhe të hyjë në BE”.
“Janë parë interesat bullgare dhe duhet të shihen edhe interesat e shqiptarëve sa i përket çështjes së emrit”.
“Besoj që më në fund Maqedonia të zgjedhë këtë kontest. Ardhja jo vetëm e Theresa May por këta muajt e fundit kemi pasur shumë liderë evropianë që kanë ardhë në Shkup. Roli i Bullgarisë është mjaft i rëndësishsëm dhe Sofja dha maksimumin dhe ky është fat që duhet të shfrytëzohet dhe po ia arrijnë qëllimit. Shpresoj që në vitin 2018 do të shkruhet me shkronja të arta për Maqedoninë”
Kurse analisti tjetër, Qashif Bakiu, ka thënë se Zaev dhe Tsipras janë përkujdesur që ta mbajnë të fshehtë këtë marrëveshje të arritur e cila sipas tij do të diskutohet edhe në të dy vendet përkatëse.
Ai ka thënë se në rastin e emrit të ri të Maqedonisë edhe historianët duhet ta bëjnë punën e tyre./Klan Kosova/