12 Shtator, 2024 - 8:50 pm
Nga Shlomo Ben-Ami*, Project Syndicate
Përse Roma e vjetër rezonon kaq shumë me publikun bashkëkohor? Një faktor mund të jetë sepse historia e Perandorisë Romake është aq komplekse, saqë elemente të ndryshme të saj mund të studiohen veçmas njëri tjetrit, të rirenditen dhe ri-interpretohen sipas një sërë narrativash dhe besimesh.
Vjet, mediat sociale u përfshinë nga një trend, ku gratë pyesnin burrat se sa shpesh ata mendonin për Perandorinë Romake. “Shumë,” rezultoi të ishte përgjigjia e tyre. Një numër i konsiderueshëm burrash thanë se mendonin për perandorinë e lashtë disa herë në javeë e madje, edhe disa herë në ditë.
Po, përse Roma e vjetër rezonon kaq shumë me publikun bashkëkohor? Sipas klasicistes dhe studiueses së njohur të Romës, Mary Beard, Republika Romake përbën themelin e politikës dhe kulturës moderne. Për më tepër, duket se historia e Romës është aq komplekse, saqë elemente të ndryshme të saj mund të studiohen veçmas njëri tjetrit, të rirenditen dhe ri-interpretohen sipas një sërë narrativash dhe besimesh.
Roma ishte frymëzimi kryesor i demokracisë liberale. Mendimet dhe veprimet e “etërve themelues” të Amerikës ishin të injektuara nga idealet romake dhe vetë SHBA u paraqit si standardi i ri i lirive republikane. Por, në mënyrën e tyre, edhe fashistët Italianë me Musolinin në krye, u përpoqën po aq të paraqiteshin si trashgimtarë të denjë të Perandorisë Romake.
Historia e Romës është gjithashtu historia e një republike demokratike që kthehet në autokraci kur bëhet viktimë e zemërimit popullor dhe kur normat politike shkelen, duke i hapur rrugën dëshirës së përgjithshme për një udhëheqës “të fortë.” Kritikët shpesh e krahasojnë Donald Trump me Jul Çezarin, ndërsa i referohen demagogjisë së tij, luftës së pamëshirshme për pushtet dhe dëshirës për të shkelur rregullat dhe normat. Nga ana tjetër, ekstremistët e djathtë në amerikë bëjnë po të njëjtin krahasim, duke dashur ta paraqesin Trump-in si një pushtues të lavdishëm perandorak.
Mbështetësit e Trump-it, besojnë (në mënyrë të gabuar), se ishin emigrantët ata që sollën rrënimin e Perandorisë Romake. Më gjerësisht, forcat e ekstremit të djathtë kanë sugjeruar gjithmonë se Roma e lashtë hodhi themelet e “kulturës së bardhë.” Kjo ndihmon në spiegimin e pikëpamjeve të klasicistit të Universitetit të Princeton-it, Dan-el Padilla Peralta, se disiplina që ai drejton është e pandashme nga mendësia imperialiste.
Por, Beard e sfidon mitin e kulturës së bardhë në librin e saj “SPQR: Një Histori e Romës Antike” (botuar në vitin 2016), duke argumentuar se historia e Perandorisë Romake – e cila në fakt kishte një diversitet etnik – është “historia e njerëzve me ngjyrë.” Në fakt, libri mbyllet me dhënien e shtetësisë gjithë subjekteve të perandorisë nga perandori Caracalla. Aristokracia e vjetër romake i humbi të gjitha privilegjet, pasi nuk pranoi t’i ndante ato me pjesën tjetër të popullsisë.
Kështu, historia e Romës është kthyer në një fushë ëndrrash për njerëz që besojnë tek patriarkalizmi. Ndonëse Roma kishte figurat e saj heroike femërore, ato përgjithësisht ishin nënat dhe gratë e perandorëve. Në thelb, shoqëria romake ishte një shoqri pretoriane, e cila çmonte trimërinë, nderin dhe burrërinë, ose të ashtuquajturat virtus. Njëkohësisht, marrëdhëniet homoseksuale konsensuale ishin të ligjshme, ndaj, Roma e vjetër mund të shihet edhe si një burim i hershëm i legjitimitetit të të drejtave për personat homoseksualë.
Nga ana tjetër, Roma sillet në kujtesë edhe kur është fjala për hegjemoninë amerikane. Paqja Romake – një lloj “epoke e artë” paqeje relative e prosperiteti, e mbështetur në një perandori të fuqishme – ka qenë modeli për krijimin e Paqes Amerikane (Pax Americana), që lindi pas Luftës së Dytë Botërore. Ashtu sikurse lufta për një “paqe të përbashkët” mes qytet-shteteve greke pas Luftës së Peloponezit i dha Romës bazën morale për ta pushtuar Greqinë, edhe luftërat e pafundme në Europë, i nxitën gradualisht SHBA-të që të silleshin si garantues të jashtëm të paqes dhe rendit. Paqja, mesa duket, rrallë përputhet me lirinë e plotë politike.
Por, Paqja Amerikane sot duket se po zbehet, duke i hapur rrugën spekulimeve të shumta për “rënien” e afërt të “perandorisë” amerikane. Bazat për këto spekulime u hodhën qysh në shekullin e tetëmbëdhjetë, kur figura si Edward Gibbon dhe Montesqueiu shkruajtën për fatin e Perandorisë Romake. Megjithatë, SHBA-të kanë ende shumë për të mësuar, që të mund të shmangin rënien e tyre.
Ndoshta mësimi më i rëndësishëm është se edhe hegjemonia kërkon një sens mase. Roma vuajti nga ajo çfarë Gibbon e përshkruan si “pasoja e natyrshme dhe e pashmangshme e madhështisë së tepruar.” SHBA-të njihen për një mungesë të ngjashme përulësie, veçanërisht gjatë viteve të hegjemonisë së pakontestuar pas Luftës së Ftohtë. Ndaj, ato duhet të kujdesen që kryelartësia mos të kthehet në fundin e tyre.
Megjithëse krahasimet historike mund të na ndihmojnë të kuptojmë më mirë të tashmen dhe të ardhmen, ato nuk na ofrojnë asnjë garanci. As i ashtuquajturi “Kurthi i Tukididit,” i cili flet për përplasjen e “pashmangshme” mes një hegjemoni ekzistues (si SHBA) dhe një fuqie në rritje (si Kina), nuk duhet parë si një ligj i hekurt i historisë, qoftë edhe për shkak të çmimit të lartë të luftërave modern.
Kjo na sjell tek dallimi i madh mes Perëndimit sot dhe Romës në ditët e saj të lavdisë: ndërsa romakët shpresonin se e ardhmja do të përsëriste lavditë e tyre të dikurshme, për botën post-iluministe thelbësore janë besimi tek progresi dhe rimëkëmbja. Të armatosur me shpresë dhe besim, ne kemi ende mundësi t’i aplikojmë mësimet e historisë dhe të shpresojmë se do të mund t’i shmangim gabimet më të rënda të paraardhësve tanë. (Përgatiti për Gazetën TemA: Bjorn Runa)
*Shlomo Ben-Ami është ish-Minsitër i Jashtëm i Izraelit. Aktualisht, ai është Zv. President i Qendrës Ndërkombëtare për Paqe në Toldeo, si edhe autor i librit “Prophets wthout Honor: The 2000 Camp David Summit and the End of the Two-State Solution.”/KultPlus.com