13 Shtator, 2024 - 5:30 pm
Ka vdekur kompozitori, studiuesi, pedagogu e drejtuesi i departamentit KMDP pranë Fakultetit të Muzikës, Prof. Asoc. Dr. Edmond Buharaja.
Ai ishte një studiues dhe kompozitor i përmasave botërore. Krijimtaria dhe puna e tij kolosale studimore me botime tepër të vlerëta do të mbeten trashëgimi dhe thesar për sot dhe brezat që do të vijnë. Simfonia Alpine me Interlud, u vlerësua me çmime dhe mirënjohje nga disa prej figurave më të shquara të artit ndërkombëtar.
Po ashtu, përveç studimeve të tjera, botimi i Analiza Schenkeriane dedikuar interpretimit organik të strukturave muzikore, u vleresua nga tre prej studiuesëve më të njohur si E. Pozzi, W. Drabkin dhe S. Pasticci, me urimet e vlerësimet më të mira për Të.
Njëkohësisht, kontributi i tij në të gjitha trevat Shqiptare, përkatësisht në Universitetin e Arteve Tiranë, Akademinë e Shkencave në Shqipëri, Institutin Albanologjik Prishtinë, Universitetin e Pejës, etj., do të mbetet një vlerë e shtuar dhe do të nderohet dhe kujtohet me shumë respekt.
Universiteti i Arteve përcolli një mesazh ngushëllimi për ndarjen nga jeta të Buharajës, teksa në mesazhin e tyre theksojnë se ai do të mbahet mend edhe si njeriu i mirë, i drejtë, i thjeshtë dhe i kudondodhur, si mbështetje për këdo që i ka besuar aspektit njerëzor duke gjetur tek Prof. Edi besimin, fjalën e këshillën e mençur e të urtë të mikut, profesorit dhe njeriut me virtytet më sublime të karakterit njerëzor.
“Për Prof. Edin duhet të flitet gjatë por sot jemi të pafuqishëm, ndaj mund te themi vetëm:
Prehu në paqe miku kolegu dhe Profesori ynë i nderuar Edmond Buharaja”, lexohet në postimin në rrjetet sociale në faqen e Universitetit të Arteve./TopChannel/KultPlus.com