Katër trëndafilat e kuq apo “lufta” artistike me varësinë

17 Shtator, 2024 - 12:48 pm

Albana Beqiri

“Katër trëndafilat” ishte shfaqja e parë e edicionit të XI të festivalit tradicional “Summer cult” i cili i kushtohet regjisorëve të rinj dhe punës së tyre.

Me tekst të dramaturges dhe shkrimtares së njohur amerikane Julia Cameron regjisorja e re kosovare Erleta Rexhepi solli një lexim interesant regjisorial të këtij teksti të luajtur në skena botërore.

Me një skenografi pothuaj minimaliste të bazuar në tre konstruksione luhajash (me nga dy sosh në secilin konstruksion) që lëviznin nga vetë aktoret duke ndërruar hapësirat skenike (herë ambient i përbashkët në një qendër rehabilitimi, herë dhoma private të pacienteve, herë dhoma e mjekes etj) shfaqja mëton të sjellë te publiku dramën e katër femrave të cilat kanë probleme të pranuara ose jo prej tyre me varësinë ndaj alkoolit, barnave dhe drogës.

Asgjë nuk është ashtu si duket. As jeta e katër femrave që luftojnë me varësinë e tyre, ndonëse fillimisht nuk e pranojnë këtë varësi. Shfaqja fillon kur aktorja e njohur Mara, një yll i dikurshëm, hyn në Qendrën e Rehabilitimit “Katër trëndafilat” dhe fillon të trajtojë problemin e saj të fshehur gjatë gjithë jetës me alkoolin. Aty gjen edhe tre paciente të tjera, të cilat fillimisht reflektojnë psikologjinë e rënduar të të burgosurave. Ndonëse luhajat si të vetmet rekuizita me të cilat ato shërbehen deri në fund të shfaqjes (ndonjë rekuizitë tjetër si valixhet, lapsat e fletët e vizatimit, trëndafilat etj përdoren aty për aty) ta krijojnë përshtypjen e një lirie të rrejshme për shkak të luhatjes në ajër, ndërkaq njëherazi reflektojnë një atmosferë të rënduar burgu.

Nuk janë vetëm katër femra të zakonshme që ndajnë hapësirat e një qendre rehabilitimi, por më shumë se aq, janë katër femra që në një mënyrë apo në një tjetër luftojnë me demonët e tyre, fillimisht duke mos i pranuar, pastaj duke i fshehur, duke i ikur kokës së problemeve e vetëm krejt në fund fare duke u ballafaquar me to. Krejt ky udhëtim i tyre i vështirë brenda thellomave të shpirtit, vetëdijes dhe nënvetëdijes së tyre mbushur përplot trauma, pasiguri dhe frustrime të shumta bëhet nën monitorimin skrupuloz të një mjekeje, ende të dashuruar me të shoqin e vdekur nga përdorimi enorm i alkoolit. Dr. Rose, edhe ajo vetë një ish alkooliste nxit “shpërthimin” emocional të pacienteve të vetëndrydhura nga mohimi i sëmundjes. Po, sipas dr. Rose abuzimi me alkoolin, substancat narkotike apo barnat e paautorizuara është sëmundje, një sëmundje reale shërimi i së cilës kërkon fuqi të madhe psikologjike e emocionale.

Një aktore e njohur pas qëndrimit prej Dive të së cilës maskohet bukur një personalitet i shkatërruar është një alkooliste; Lili, një bionde e bukur- lodër seksi e fiksuar pas seksit dhe alkooliste; Sheila një shtëpiake në dukje e butë, e cila mohon varësinë e saj ndaj barnave me recetë e të cilën ka qenë i shoqi ai që e ka detyruar të trajtohet dhe Dawne një adoleshente vetë-shkatërruese me një familje që nuk tregon kujdes për të, me probleme shumë serioze inati e varësi nga heroina, e cila po ashtu ka probleme me vetëvlerësimin ndonëse ka talent në vizatim. Katër femrat e mësipërme përmes dialogjeve të ngjeshura shpërfaqin problemet e tyre të shumta. Nga ana tjetër, dialogjet në vetvete më shumë i ngjasojnë një serie rrëfimesh që zbulojnë anën e errët të jetëve të atyre femrave. Abuzuesit (bashkëshortët jobesnikë, prindërit indiferentë e të painteresuar) ndonëse janë pjesë e dramës që zhvillohet brenda mureve ku u janë “burgosur” të afërmet e tyre, ata gjithsesi mbeten personazhe abstraktë që japin e marrin me personazhet realë vetëm përmes sjelljeve të tyre abuzive.

Dr. Rose dhe ndihmësja e përkushtuar, infermierja Curry (kjo e fundit kishte pasur nënën alkooliste) janë aty, pjesë e rëndësishme e asaj drame ku të gjithë personazhet kishin një emërues të përbashkët: historikun e varësisë nga alkooli, barnat apo drogat. Fati i bashkon në qendrën rehabilituese për t’ i vënë para sprovave të reja: përballjen me problemin dhe sfidat e shumta të shërimit.

Aktoret Donikë Zeqiri, Gresë Gashi, Uratë Shabani, Albana Gashi, Fitore Jashari dhe Erza Sejdiu të cilat mbartën peshën e krejt shfaqjes realizuan role që i folën publikut, i rrëfyen pasiguritë e traumat e bartura nga jetët përtej atyre mureve (imagjinarë) të asaj qendre rehabilituese.

Trëndafilat e kuq, ishin rekuizita interesante që i rrinin mirë skenografisë minimaliste të realizuar nga Bekim Korça, në duart e personazheve ata shndërroheshin në simbol të shërimit. Katër paciente me probleme varësie- katër trëndafilat e kuq! Edhe kostumografia që mbante firmën e Njomëza Lucit ishte ideuar e realizuar në frymën e atmosferës së shfaqjes.

Për fund mund të themi se, në tërësinë e saj, shfaqja “Katër trëndafilat” i ka të gjitha premisat ta sfidojë indiferencën e publikut të teatrit./ KultPlus.com

Të ngjajshme