“Pafajësia” artistike e një tradhtie bashkëshortore

18 Shtator, 2024 - 2:27 pm

Albana Beqiri

Një skenografi e thjeshtë, mbushur me rekuizita, një pjesë e mirë e të cilave njëherazi ishin edhe kostumet e shfaqjes dhe vetëm dy aktorë, të cilët janë një çift që u njohën rastësisht dhe për vite me radhë kalonin një fundjavë së bashku në të njëjtin hotel ku u takuan për herë të parë, në të njëjtën datë të secilit vit- mbi këto elementë shenjues ishte ndërtuar krejt shfaqja “Në të njëjtën kohë, vitin tjetër”, e cila u shfaq në teatrin “Dodona” në kuadër të edicionit të XI të festivalit të teatrove Sammer cult.

Shfaqja u inskenua nën regjinë e Blerta Cakaj e cila duhet thënë se me një lloj protagonizmi fin regjisorial e solli në skenë komedinë e amerikanit Bernard Slade me një tingëllimë të këndshëm bashkëkohor, ndonëse teksti dramatik është shkruar dekada më parë (premiera e parë më 1975).

Një shtrat në mes të skenës i cili ndërronte varësisht takimeve të dy protagonistëve Xhorxhit dhe Dorisit, ishte skenografia e vërtetë e shfaqjes, ndërkohë që kostumet ishin shndërruar në rekuizita që aktorët i përdornin në përputhje me takimet e tyre, një herë në vit. Telefoni ishte gjithashtu një rekuizitë shumë e rëndësishme e shfaqjes, pasi hera herës gjatë takimeve të dy dashnorëve i lidhte ata me botën jashtë. Ta zëmë në një nga takimet që vazhduan për 25 vjet me radhë Xhorxhi mori një telefonatë nga e bija e cila kishte humbur dhëmbin që duhet t’ia merrnin zanat, një herë tjetër po përmes atij telefoni Xhorxhi tentonte të gjente doktorin më të afërt pasi Dorisit i plasën ujrat e i filluan dhembjet e lindjes, ndërkaq vite më vonë Xhorxhi po ashtu u përball përmes telefonit me bashkëshortin e Dorisit…

Rastësia që thonë se është mbreti i botës i lidhi dy të panjohurit, Xhorxhin një kontabilist nga Nju Xhersi dhe amvisën nga Oakland, Doris të cilët u takuan në një bujtinë të Kalifornisë Veriore. Ndërsa patën një lidhje për një natë ata u morën vesh që të takohen një herë në vit, pavarësisht se të dy janë të martuar me të tjerë dhe kanë edhe fëmijë.

E pavarësisht gjithçkaje që ndodhte në jetën e tyre, gjatë 25 viteve të ardhshme ata nuk munguan kurrë në takimin e përvitshëm, i cili dalëngadalë u shndërrua më shumë se në një ritual të rëndomtë, sepse përtej asaj që mund të pritet nga një takim i fshehtë jashtëmartesor një herë në vit, ata zhvillojnë një intimitet emocional tepër të thellë për ato rrethana të takimit. Gjatë kohës së shkurtër që kalojnë me njëri-tjetrin, ata ndajnë mes tyre intimitete që vështirë se mund t’i ndash me miq edhe më të afërt sesa me një njeri që takohesh vetëm një herë në vit, pa kontakte të tjera qoftë edhe telefonike. Në atë shtrat që ndërron vendin (ndërrim që simbolizon ndryshimet kohore dhe ato sociale të Xhorxhit dhe Dorisit) ata ndajnë mes vete informacione mbi ato që ndodh në jetët e tyre gjatë vitit që nuk janë takuar si psh lindjet, vdekjet dhe problemet martesore që secili prej tyre po përjeton në shtëpinë e vet.

Edhe nëse në fillim publiku i paragjykon për tradhtinë po aq sa e paragjykojnë ata veten përmes vrasjes së ndërgjegjes apo dilemave që shfaqin, takim pas takimi ata shndërrohen në personazhe të dashura dhe shumë simpatikë e tradhtia e tyre bashkëshortore shndërrohet në një element gjithmonë e më periferik e po të mos e përmendin ata vetë (duke përmendur bashkëshortët apo fëmijët) harrohet fare. E kështu vit pas viti, takimet e tyre të një fundjave në vit, shndërrohen në sagë të një lidhjeje jashtëmartesore e cila në shfaqje “ndërpritet” çerek shekulli më pas, kur protagonistët simpatikë e kapin veten në të gjashtëdhjetat e tyre, ku si gjithçka tjetër pashmangshmërisht ndajnë edhe problematikat e plakjes së tyre, janë bërë edhe gjyshër e më në fund tentojnë ta ripërcaktojnë dashurinë që kanë për njëri- tjetrin jashtë takimit të tyre një herë në vit dhe romancës që bart kjo dashuri.

Blerta Caka në rolin e Dorisit dhe Elton Tahiri në rolin e Xhorxhit arritën të sjellin te publiku plotninë e personazheve të tyre, ani pse hera herës vërehej një tejngarkesë emocionale e tyre e cila reflektohej në vështirësinë e shqiptimit të tekstit.

Edhe pse në përgjithësi në tekstin e shfaqjes nuk kishte prerje të mëdha dramaturgjike duke i mbetur besnik tekstit të autorit Bernard Slade, regjisorja e re Blerta Caka e cila luante edhe rolin e Dorisit, kishte zgjedhur të mos e trajtonte shfaqjen si një komedi klasike. Ndonëse “ Në të njëjtën kohë, vitin tjetër” përmban të njëjtin lloj dialogu komik që ka teksti autorial, në leximin regjisorial të Cakës i është dhënë më shumë rëndësi shpërfaqjes së momenteve të krijimit të një miqësie të thellë mes dy protagonistëve, arritur kjo mes butësisë dhe romantizmit të raportit të tyre. Për fund mund të themi se “guximi” regjisorial i regjisores së re Blerta Caka u shpërblye pasi edhe zhveshja nga petku i komedisë klasike i qëndronte mirë shfaqjes./ KultPlus.com

Të ngjajshme