Dita e dytë e Festivalit Ndërkombëtar të Filmit për të Drejtat e Njeriut

18 Shtator, 2024 - 3:24 pm

Në ditën e dytë të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit për të Drejtat e Njeriut (IHRFFA), u shfaqën filma në lokacione të ndryshme, disa prej të cilave në Qendrën për Hapje e Dialog (COD) si dhe në kinemanë “Maks Velo” në Laprakë.

Filmat u shfaqën për grupmoshën e nxënësve të gjimnazeve. Në COD, spektatorë ishin nxënës të shkollës “Petro Nini Luarasi” ku u shfaqën  “00:04:47 Till…” dhe “Breaking Social”. Projeksioni u moderua nga lektorja e Akademisë “Marubi”, Bora Ylli, e cila bëri analizën e filmave.

Ishin gjithsej 11 filma që u shfaqën ditën e djeshme, tre prej të cilëve edhe në Akademinë e Sigurisë.

Festivali Ndërkombëtar i Filmit për të Drejtat e Njeriut zhvillohet në Shqipëri prej 19 vjetësh. Në edicionin e këtij viti janë përzgjedhur 41 filma nga vende të ndryshme të botës, por që i lidhin tema sensitive që kanë të bëjnë me të drejtat e njeriut. Tema e këtij viti është “Vepro gjelbër për të tashmen dhe për të ardhmen”. Filmat do të shfaqen në kinema të ndryshme të Tiranës deri më 21 shtator./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme