Udhëtim artistik në skutat e errëta njerëzore

19 Shtator, 2024 - 12:43 pm

Albana Beqiri

Shfaqja e tretë që u shfaq në teatrin “Dodona” në kuadër të “Summer Cult XI” ishte “Shërbëtoret” e Jane Genetit, produksion nga Tirana. Regjisori i ri Klajdi Malollari kishte guxuar të zgjidhte për të inskenuar një nga kryeveprat e francezit Jane Genet, dramë kjo e cila ka në spikamë sjelljen e deformuar të të rinjve, të cilët e gjejnë veten bash në kulmin e krizës së modernitetit, krizë e cila u krijon njerëzve probleme me identitetin e tyre dhe lëkund raportin e tyre me vlerat që bart moderniteti e që lë gjurmë edhe në (de)formimin e karaktereve njerëzorë.

Në leximin që regjisori i kishte bërë tekstit të Genetit e trajton dhe e shpërfaq atë si një metaforë të deformimeve psikologjike, mentale e emocionale të njerëzve modernë, çka edhe funksionoi mirë në skenë.

Një dramë psikologjike, e cila ka në epiqendër dy shërbëtoret motra Solange dhe Claire, të cilat kur zonja e tyre, Madame nuk është në shtëpi “luajnë” me njëra- tjetrën duke alternuar imitimin që i bëjnë zonjës së tyre ndaj së cilës kanë ndjenja të përziera ku dallohet qartë urrejtja, lakmia e mbase mbase edhe dashuria (e sëmurë) për të. Ato performojnë para njëra tjetrës sjellje e rituale gati sadomazokiste, të cilat para së gjithash tregojnë gjendjen e tyre mentale e psikologjike që korrespondon me atë të njerëzve që jetojnë në ambiente të mbyllura e ndaj të cilëve ushtrohet dhunë veçmas psikologjike, imponim, arrogancë e pse jo edhe poshtërim. Gjithçka duket si një eksperiment social: dy shërbëtoret që fillojnë të luajnë rolin e zonjës së tyre, të cilës i shërbejnë prej vitesh (veshin rrobat e saj, imitojnë sjelljet e qëndrimin e saj, fyejnë si ajo, flasin si ajo, bërtasin si ajo) përmes kësaj loje që vetëm e pafajshme nuk është, shfryjnë gjithë urrejtjen e tyre të akumuluar prej vitesh e kur e fitojnë këtë lloj “lirie” sadomazokiste iu shpërthejnë instiktet vrasëse, çoroditjet seksuale apo edhe çfarëdo lloj tërbimi i dhunshëm.

Zonja shfaqet shumë pak në shfaqje, por ajo është e pranishme gjatë gjithë kohës, ndoshta edhe më shumë se dy shërbëtoret, pasi ajo grua ka pushtuar mendimet, sjelljet dhe jetën e dy shërbëtoreve të veta. Duket sikur ato janë në kërkim të vetes tjetër, të vetes së munguar dhe e cila me shumë mundësi është jeta e zonjës së tyre. Prandaj e duan dhe e urrejnë me të njëjtën forcë, e mbi të gjitha kanë frikë prej saj, frikë e cila kur kombinohet me urrejtjen që pjell kjo frikë i bën bashkë rreth një qëllimi final: ta vrasin zonjën e tyre që në sytë dhe mendjen e tyre është shndërruar në fatkeqësinë më të madhe të jetës së tyre.

Në jetën reale janë dy shërbëtore të shkreta që jeta u ka shkuar më papafingo dhe duke larë enët e duke pastruar, e vetmja jetë të themi dashurore e tyre është joshja e shitësit të qumështit, por ato duan më shumë, duan jetën që nuk e kanë, duan jetën e zonjës së tyre. Prandaj kthehen në dy personazhe që luajnë perfekt shndërrimin e vetvetes, shprishjen morale e emocionale të vetvetes, njëra prej tyre kthehet në personazhin e zonjës e tjetra në atë të shërbëtores, këto role i realizojnë me alternim e veçmas kur fshihen nën petkun e futen në botën e zonjës së tyre ato e bëjnë këtë në perfeksion. Është vështirë të besosh se nuk janë zonja e vërtetë. Zonja të cilën nuk e vranë dot me atë çajin prej bliri që ia përgatitën enkas, ato vazhdojnë atë lojën e tyre sadomazohiste e cila duket se është revolta e tyre e madhe. E duan këtë revoltë ndoshta ngaqë kështu ndodh me rastet e çrregullimit të personalitetit apo personalitetit të shumëfishtë. Por asgjë nuk ndodh, ato nuk arrijnë ta realizojnë dot vrasjen e zonjës, madje as me imagjinatë. Intrigat e tyre nuk japin rezultat, zotëria kundër të cilit kishin shkruar letra doli nga burgu për mungesë provash, zonja duke vrapuar për të pirë shampanjën e fitores nuk e piu çajin e helmuar të blirit dhe në këto rrethana ato nuk do të mund të kenë më as papafingon e ndyrë e as dashurinë e shitësit të qumështit. Prandaj…

Loja e aktoreve ( Xhoana Karaj, Erina Lazi dhe Fabiana Proi) ishte e arrirë, shquhej për plastikë komunikimi, gjithçka ishte shprehëse në lojën e tyre, urrejtjen mund t’ua dalloje së pari në mimikë e gjeste. Edhe dashurinë, edhe dyzimin e endjen e pavetëdijshme brenda atij personaliteti të shumëfishtë që shpërfaqnin.

Kostumografia që mbante firmën e Bora Demajt ishte në funksion të plotë të shfaqjes e cila ishte ndërtuar mbi një skenografi të kursyer.

Parë në secilin komponent të vetin shfaqja erdhi si një udhëtim teatror në skutat më të errëta të shpirtit dhe mendjes njerëzore, ku mungesa e kufijve moralë çon deri te shprishja e individit./ KultPlus.com

Të ngjajshme