20 vjet në 27 fotografi, Fahredin Spahija do të prezantohet me ekspozitën personale “Shpirti Dervish”

20 Shtator, 2024 - 12:33 pm

Fotografi i njohur Fahredin Spahija do të prezantohet me ekspozitën personale “Shpirti Dervish”, ekspozitë që për kurator ka Fahredin Shehun e që  përmbledhë punën 20 vjeçare të fotografit Spahija përgjatë ritualeve të dervishëve në Kosovë dhe Shqipëri, e që në këtë ekspozitë vijnë nëpërmjet portreteve, shkruan KultPlus.

Pas ceremonisë së hapjes së ekspozitës, mbrëmja do të vazhdojë me performancën e Petrit Çarkaxhiut, sikurse që do të lexohen poezi të poetit të famshëm Rumi, e që në këtë mbrëmje do të vijnë nëpërmjet aktorit Nik Istrefi.

“Për mua, këto rituale, përtej religjionit, kanë kuptimin e një kulture mbi 600 vjeçare që begaton trashëgiminë tonë kulturore gjithandej hapësirave gjeografike shqiptare”, ka thënë fotografi Spahija, për këtë ekspozitë që do të hapet më 27 shtator në KultPlus Caffe Gallery, në ora 19:00.

Kurse kuratori Fahredin Shehu për këtë ekspozitë ka shkruar se: Poetika e fotografisë artistike e Fahredin Spahisë, ndërshtresohet nga talenti, mjeshtëria dhe puna e përsosmërisë së zanatit që elevohet në art, ndërkaq arti transhendohet në Teurgji. Kjo krijon një arkitekturë eterike (të dukshme gjithsesi si një hologram në Qiell dhe matrix-in si foto-print në Tokë), e cila ngritet në nivele më të larta të krijimtarisë artistike. Prandaj, kjo është në përputhje të plotë me atë që kam shkruar më herët: “Poezia është dhunti e Krijuesit dhe vjen nga mëshira e Tij”. Fahredin Spahija, me ndërveprim, në plotësi krijon (Quantum Entanglement – implikim/ngatërrim shpirtëror apo kuantik, krejt një lloj), të artit të tij fotografik me një njohje/realizim timin për Poezinë e epokës sonë dhe më tej, e cila për t’u kuptuar duhet domosdoshmërisht të posedojë dije polymath-ike, respektivisht ato blloqe ndërtuese të një filozofie sintetike.

Ekspozita “Shpirti Dervish” që do të hapet më 27 shtator dhe do të rri e hapur për një javë në KultPlus Caffe Gallery, është mbështetë nga Ministria për Kulturë, Rini dhe Sporte dhe Komuna e Prishtinës/ KultPlus.com  

Të ngjajshme