24 Shtator, 2024 - 12:07 pm
Muzeu Historik Kombëtar përkujtoi sot Heroin e Popullit, Dedë Gjo Luli (1840-1915).
Dedë Gjo Luli u dallua në luftën e organizuar nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit për mbrojtjen e Hotit e të Grudës, që në bazë të vendimeve të Kongresit të Berlinit duhej t’i dorëzoheshin Malit të Zi.
Aftësitë e tij si organizator dhe prijës luftarak u shfaqën sidomos gjatë kryengritjes kundërosmane të vitit 1911.
Në bashkëpunim me qarqet atdhetare parashtroi Memorandumin e Greçës, kërkesën për autonominë territoriale-administrative të mbarë Shqipërisë. Edhe mbas Shpalljes së Pavarësisë, për shkak të gjendjes së krijuar nga luftërat ballkanike dhe nga vendimet e padrejta të Konferencës së Ambasadorëve në Londër, Dedë Gjo Luli vazhdoi luftën për mbrojtjen e vendit dhe bashkimin kombëtar.
Më 24 shtator 1915 forcat serbo-malazeze e vranë pabesisht në Sheshëz afër Oroshit (Mirditë)./atsh/KultPlus.com