Apostulli i lirisë At Pjetër Meshkalla, i persekutuari i regjimit komunist

25 Shtator, 2024 - 12:02 pm

Më 25 shtator 1901, lindi një prej mendjeve më të ndritura të klerit katolik shqiptar, At Pjetër Meshkalla.

Mësimet e para i mori në vendlindje, në Shkodër, për të vazhduar më tej studimet teologjike në Linz (Austri), Goricë (Slloveni), si dhe në Fakultetin e Filozofisë në Napoli.

U dha mësim disa brezave të studentëve të Seminarit Papnor në Shkodër, në lëndët gjuhë, letërsi shqipe dhe filozofi, për të vazhduar me themelimin e rretheve “Don Bosko “ dhe “Shën Pjetri”, që u bënë qendra të rëndësishme të edukimit të rinisë së kohës.

Aktiviteti dhe profili i lartë intelektual, nuk mund t’i shpëtonte listave të zeza të “armiqve të popullit”.

Në vitin 1947 u dënua me 15 vjet burg. Në vitin 1967 u ridënua me 10 vite të tjera, ndërsa në vitin 1978 do të internohej në Vlorë. Simboli i shquar i martirizimit vdiq më 28 korrik 1988. Jezuitët, shoqëri së cilës i përkiste, i kanë vënë emrin e tij një shkolle të mesme në Shkodër, e cila është vijuese e Kolegjit të famshëm Saverian./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme