‘Kapedani’ i restauruar, premiera në sesionin TIFF Classics

25 Shtator, 2024 - 8:31 pm

 “Kapedani”, një film ikonë e kinematografisë shqiptare mblodhi në festivalin TIFF dhjetëra dashamirës të artit dhe kulturës.

Për herë të parë në kuadër të këtij festivali u prezantua versioni i përmirësuar 4K i filmit “Kapedani”, në një ceremoni speciale, organizuar nga Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit si edhe nga TIFF. Gjatë ceremonisë u nderuan me Çmimin e Mirënjohjes grupi i krijuesve dhe aktorëve protagonistë të filmit: Muharrem Fejzo, Fehmi Hoshafi, Albert Vërria, Nikolin Xhoja, Robert Ndrenika, Valbona Simixhiu, Ilia Terpini e Shyqyri Sako.

AQSHF ka falenderuar gjithë të pranishmit në këtë mbrëmje e veçanërisht familjet Vërria, Hoshafi, Fejzo e Xhoja që udhëtuan nga larg për të festuar edhe njëherë “Kapedanin” e për të nderuar kujtimin e të dashurve të tyre në këtë mbrëmje të bukur. Gjithashtu falenderime të veçanta pati për aktorin Robert Ndrenika, i pranishëm në sallë si dhe për Shyqyri Sako, familjarët e aktores Melpomeni Çobani dhe për skenaristin Skënder Plasari.

Filmi “Kapedani” është realizuar 52 vite më parë nga regjisorët Fehmi Hoshafi dhe Muharrem Fejzo.

Restaurimi i tij është një projekt i AQSHF-së, financuar nga ACE – Association des Cinémathèques Européennes që u soll tek publiku me mbështetjen e Tirana International Film Festival në programin TIFF Classics. /atsh/ KultPlus.com

Të ngjajshme