26 Shtator, 2024 - 10:54 pm
Në mesditën e së enjtes, në ambientet e Bibliotekës “Hivzi Sulejmani” në Prishtinë, u bë promovimi i librit “Arti i bashkëbisedimit” (Avni Spahiu publicist, diplomat, përkthyes), i autorit Sali Bashota, organizuar nga Biblioteka “Hivzi Sulejmani” dhe Botimet REA.
Në këtë ngjarje morën pjesë personalitete të shquara shqiptare si ish-presidenti i Republikës së Kosovës z. Fatmir Sejdiu, drejtoresha e Drejtorisë së Kulturës në Komunën e Prishtinës znj. Sibel Halimi, Don Lush Gjergji, gazetarë, shkrimtarë, profesorë, ish-deputetë të Parlamentit të Kosovës, studentë e dashamirës të librit.
Fjalën e rastit e mbajti, Naime Beqiraj, drejtoreshë e Bibliotekës “Hivzi Sulejmani”, në Prishtinë, e cila ndër të tjera, tha: “Azem Shkreli e kishte thënë në një intervistë e disa herë edhe në mesin e miqve se botimi i një libri të mirë është festë për autorin e për lexuesit. Edhe libri të cilin po e përurojmë sot para jush, ne si institucion, është festë sepse është libër i rrallë, ashtu siç është i rrallë edhe protagonisti i veprës. Ende pa u publikuar libri “Arti i bashkëbisedimit”, ne si bibliotekë kishim menduar se si ta organizojmë promovimin e këtij libri, botuar nga shtëpia botuese REA që udhëhiqet nga një vajzë e re – Rozafa Bashota. Me auditorë të zgjedhur, siç jeni ju, secili autor do të ndjehej i nderuar, Avni Spahiu apo Sir Avni, siç e quaj prej kur e njoh autorin, brezi ynë i gjimnazistëve mezi priste ta lexonte në “Rilindje” me tekstet e tij nga New Yorku e që në mbamendjen rinore na dukej shkrim ndryshe. Spahiu, lexuesin, botën intelektuale, të përkthimit e të diplomacisë e pasuroi me mendim të thellë, tekst interesant, shqipërim fantastik e urti të rrallë dhe sot po vjen në shtëpinë e tij – në bibliotekë, ku e ka vendin e nderit.”
Më tutje, drejtoresha e Bibliotekës “Hivzi Sulejmani”, shtoi: “Sir Avni, tash që në këtë libër për artin e bashkëbisedimit, të prirë nga poeti Sali Bashota, po e shpalosni jetën tuaj, mendimet tuaja, idetë e sfidat, ky libër po iu bashkohet librave tuaj të shkëlqyer që i kemi ne si bibliotekë.”
Shkrimtari Ibrahim Berisha, i cili është edhe mik i Avni Spahiut, foli për personalitetin e Avniut si publicist, diplomat dhe përkthyes, duke spikatur individualitetin e tij në shumë fusha. Berisha, ndër të tjera, konstatoi: “Pas leximit kam menduar nëse mund të jap një përgjigje përafërt të saktë: Cilit zhanër letrar- publicistik i përket libri “Arti i bashkëbisedimit”. Mbase edhe nuk është krejt e thjeshtë të përcaktohet plotësisht. Por së pari, kjo është bisedë shumështresore intelektuale, kritike, origjinale, e shkrimtarit Sali Bashota me studiuesin, përkthyesin, publicistin, diplomatin, Avni Spahiu. Është minienciklopedi. Për këtë dilemë kam gjetur prehje përgjigjeje në fjalinë e Ralph Waldo Emersonit: “Miku është një person para të cilit mund të jem i sinqertë dhe të mendoj me zë të lartë.” Në këtë rast, të sinqertë dhe me zë të lartë bashkëbisedojnë dy miq, duke shpalosur faqe të arta të jetës dhe veprës së njërit nga intelektualët më kreativ shqiptar që zë të krijojë emër që nga fundi i viteve 1970 në gazetën Rilindja dhe njëherësh edhe me përkthimet e letërsisë angleze në gjuhën shqipe dhe të letërsisë së gjuhës shqipe në gjuhë angleze në revista e libra.”
Në vijim të fjalës së tij, Ibrahim Berisha, foli për kontributin e pakursyer të Avni Spahiut në fushën e publicistikës, duke evokuar shumë kujtime nga kjo periudhë: “Nuk e thotë në libër, por dua të tregoj edhe një përgjegjësi dhe sakrificë që Avniu mori kur u bë nga kryeredaktor i “Rilindjes” – “Bujkut”, pra në Prishtinë, jo në Zvicër a Shqipëri ku kishte kushte pune komode. Pse do të pyesni? Në objektin e uzurpuar të Rilindjes, nga regjimi serb, aty ku punonin punonjësit e gazetës, nga kryeredaktori deri te punëtorët e shërbimeve, nuk kishte ngrohje. Është punuar edhe në minus 20 gradë celsius, në beton vetëm për të dalë çdo ditë gazeta, së cilës iu kishte mbyllë edhe xhirollogaria. Ishte një vuajtje e tmerrshme e të gjithë punonjësve për të nxjerrë gazetën në krye të së cilës ishte Avniu.”
Në përfundim të fjalës së tij, Berisha duke trajtuar përmbajtjen e librit “Arti i bashkëbisedimit” të autorit Sali Bashota, tha: “Ky libër tregon sa shumë ka punuar ai për të mirën e njerëzve të këtij vendi, për të gjithë ne dhe për ata që do të vijnë pas nesh. Prandaj nuk ishte rastësi që ishte nxënësi më i mirë që fitoi bursë të ndjekë shkollën në SHBA, pastaj të jetë korrespondent i gazetës “Rilindja” po në SHBA, të jetë ndër përkthyesit më të mirë të anglishtes në shqip, të jetë ndër eseistët dhe reporterët e pakrahasueshëm, kujtoj Skicat Amerikane, bartës i shumë punëve të para në QIK dhe në KMLDNJ dhe në lëvizjen për liri dhe pavarësi, kryeredaktor i gazetës nacionale “Rilindja”-“Bujku” në kohët më të vështira në vitet 1990, drejtor i RTK-së, nuk është rastësi ambasadori i parë i akredituar i shtetit të Kosovës në një vend, në SHBA. Edhe nuk është rastësi që Avniu vjen nga shpirti i njerëzve të Republikës së Kosovës, nga Drenica. Dmth, asgjë e rastësishme.”
Në vazhdim, fjalën e mori Sali Bashota, autor i librit “Arti i bashkëbisedimit”, i cili tregoi për motivin inicial për realizimin e këtij projekti. Bashota në fillim të fjalës së tij, tha: “Një ditë pranvere e javës së fundit të prillit të vitit 2022, në një takim miqësor me Avni Spahiun në restorantin “Symphony” në Prishtinë, biseduam për shumë tema, ngjarje, situata, përjetime, kujtime, por edhe për shumë çështje, fenomene e dukuri të pranishme në realitetin tonë e më gjerë. Po atë ditë, sikur m’u ngulit në mendje që të bëja një intervistë të gjatë me të dhe që të botohet si libër i veçantë nga Botimet REA.”
Duke e portretizuar shëmbëlltyrën krijuese të Avni Spahiut, Bashota ceku disa nga vlerat e personalitetit të Avni Spahiut, ku tha: “Qetësia, modestia, thjeshtësia, mendjemprehtësia e Avni Spahiut e shpërfaqnin guximin e nismës time për të shpalosur Ditarin e Jetës së tij në kohë dhe rrethana të ndryshme. Por, ishte përpjekja ime e vazhdueshme për ta realizuar idenë e komunikimit në rrugëtimin e tij nëpër vitet e lumtura, por edhe nëpër vitet e vështira, të cilat i kemi përjetuar si popull. Por, përvoja e tij e jashtëzakonshme në shumë segmente të jetës më vuri në “siklet”, për ta mbrojtur qëllimin e këtij bashkëbisedimi, se cilat pyetje do të ishin më të qëlluara që do ta shpalosnin më së miri realitetin tonë, kuptohet përbrenda rrethanave të caktuara politike, diplomatike e kulturore apo cilat pyetje do ta “ngacmonin” më shumë Avniun, për të arritur deri te njëra ndër porositë kryesore të bashkëbisedimit, duke i shpalosur një nga një ato faqe miqësie, siç thoshte Avniu, për t’i evidentuar dhe karakterizuar, sidomos marrëdhëniet me shumë vende mike të Kosovës, në mënyrë të veçantë marrëdhëniet shqiptaro-angloamerikane.”
Autor i librit “Arti i bashkëbisedimit” (Avni Spahiu publicist, diplomat dhe përkthyes), e përmbylli fjalën e tij, duke thënë: “Bashkëbisedimi me Avni Spahiun e ka magjinë e vet të frymëzimit edhe për veprimtarinë e tij në shumë drejtime. Përmbajtja dhe mesazhi i përgjigjeve të tij paraqesin sintezën e informacioneve të sistemuara me origjinalitet dhe me një invencion të rrallë kreativ, që do të ishte model për publicistët shqiptarë.
Libri “Arti i bashkëbisedimit”, i sajuar përmes pyetjeve të mia dhe përgjigjeve të tij është njëri ndër artikulimet më pasionante të Avni Spahiut që ka të bëjë me kulturën, letërsinë, diplomacinë, përkthimin, publicistikën etj. Për më tepër, ky libër me përmbajtjen dhe informacionin që ofron, gjithsesi, i ka shenjat e veta të përveçme, pikërisht me stilin, gjuhën, mjeshtërinë e rrëfimit, por edhe me përbërës të tjerë të shumtë që dëshmojnë për vlerën e mendimeve autentike dhe për pikëpamjet shumëdimensionale të Avni Spahiut. Një cilësi dhe një pasurim i mendimit shqiptar sot.”
Në fjalën e tij përshëndetëse, Fatmir Sejdiu, ish-presidenti i Republikës së Kosovës, foli për personalitetin e Avni Spahiut si diplomat, të cilin e kishte dekretuar si Ambasadorin e parë të Republikës së Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ndër të tjera, Sejdiu e karakterizoi personalitetin e Avni Spahiut me këto fjalë: “Avniu është një personalitet unikat, i urtë me fjalë të fortë, i qetë me dinamizëm në punë dhe elemente të tjera të cilat praktikisht e bëjnë personalitetin e tij të pandalur në misionin që ka pasë”. Gjithashtu, tregoi edhe për bashkëpunimin me Avni Spahiu në periudhën kur të dy ishin gazetarë.
Në vazhdim, në fjalën e tij përshëndetëse Don Lush Gjergji foli për kontributin e Avni Spahiut në shumë fusha duke filluar nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, pastaj si diplomat, përkthyes, humanist dhe njeri që ka kontribuar në periudha të ndryshmë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
Në këtë aktivitet promovues, drejtoresha e Drejtorisë së Kulturës në Komunën e Prishtinës, Sibel Halimi, tha: “Jam e privilegjuar që në cilësinë e Drejtoreshës së Kulturës së kryeqytetit të Kosovës të mund të ndajë këtë mirënjohje për z. Avni Spahiun në këtë ditë përurimi të librit “Arti i bashkëbisedimit”, me motivacion: “Avni Spahiut për punën e tij të shkëlqyer si përkthyes letrar, si publicist dhe diplomat”.
Në vazhdim të fjalës së saj, drejtoresha Halimi, theksoi se: “Avni Spahiun, e kemi shembull të shkëlqyer të publicistit kreativ, të përkthyesit të mrekullueshëm nga gjuha angleze në gjuhën shqipe dhe anasjelltas me rreth 30 libra të shquara. Z. Spahiu letërsinë angleze dhe amerikane na e ka kthyer në shqip aq bukur, ashtu siç na ka përfaqësuar si Kosovë aq denjësisht si diplomat nga Uashingtoni, në Azi e Europë. Si korrespondent i “Rilindjes” nga SHBA, si ambasador i parë i Republikës së Kosovës në shtetin amerikan, Avniu ka dhënë kontribut të pakrahasueshëm për miqësinë e përjetshme shqiptaro-amerikane. Si publicist e drejtues mediash, Avni Spahiu është shquar me mendimin eksplicit e vazhdon të drejtojë edhe sot revistën letrare “PEN Kosova” – njëra nga më të mirat në hapësirën letrare dhe kulturore shqiptare.”
Në fund, protagonisti i këtij promovimi Avni Spahiu falënderoi të gjithë pjesëmarrësit, panelistët, botuesen dhe te gjithë ata që kanë kontribuar për realizimin e këtij libri, ku ndër të tjera, e vlerësoi në mënyrë të veçantë autorin e librit Sali Bashota.
Promovimi i këtij libri ishte një ngjarje e veçantë kulturore në kryeqytetin e Republikës së Kosovës./ KultPlus.com