26 Shtator, 2024 - 11:19 pm
Vjollca Duraku
Foto: Esad Duraki
Festivali Ndërkombëtar i Artisteve dhe Aktivisteve- FemArt mbrëmë ka nisur rrugëtimin e tij me edicionin e 12-të me shfaqjen “Carmen”, nga Barcelona Flamenco Ballet. E përshtatur për një skenë më minimaliste nga opera “Carmen” e kompozitorit francez Georges Bizet, kjo shfaqje ndërthur flamenkon me baletin klasik, ku përmes balerinëve nxjerrë në skenë mesazhe për identifikim të simbolikave si thirrje universale për të drejta të barabarta.
“Carmen” paraqet historinë e një gruaje magjepsëse, jeta e së cilës përshkohet njëkohësisht nga një pasion dhe dhimbje e madhe, rol të cilin në mënyrë fenomenale para audiencës e solli balerina Orts Romero.
Skena në të cilën u dhurua kjo shfaqje përmbante kashtë, thasë, stola dhe një tavolinë, fare pranë së cilës interpretoheshin këngë me ritme të ndryshme spanjolle nga Joel Luque Muñoz nën përcjelljen e dy kitaristëve Iban Perez Gomez dhe Jordi Centeno Alfaro. Të gjitha këto elemente krijonin një aurë magnetike e cila tërhiqte audiencën në çdo moment.
Kurse vallëzimi dinamik i balerinëve i dha shfaqjes tjetër nivel. Ishte veshja e veçantë ajo që binte në sy fillimisht. Vajzat me fustane të gjera joshnin djemtë me veshje ushtarake, Goditjet mjeshtërore në dysheme përmes këpucëve të tyre, duartrokitjet plotë takt, si dhe këndimi shpërfaqnin lojën, pasionin dhe artin e mbrëmjes. Lëvizjet milimetrike të tyre tregonin precizitetin dhe mjeshtërinë e balerinëve, kurse shpeshtësia e goditjes së tyre tregonte atmosferën e çastit, duke zbërthyer emocionet e personazheve të ndërthurura mes gëzimit, dashurisë, guximit, frikës dhe xhelozisë.
Personazhi kryesor i shfaqjes “Carmen” paraqitet me lëvizje sensuale e magjepsëse, që herë tregonte një vajzë plot hir e bukuri, herë një vajzë plotë vuajtje brenda vetes, duke shpërthyer në guxim të kohë pas kohëshëm në përballje me gjininë e kundërt. Ajo në fund vritet nga një ushtar, si shkak i xhelozisë për të cilën ai e ndiente pasi “Carmen” magjepsej nga një djalë tjetër.
Shfaqja “Carmen” e cila në hapje të FemArt ka paraqitur simbolikën mbi ndërgjegjësimin e dukurisë së femicidit në shoqëri, u dha nga trupa e baletit në përbërje me: Gutiérrez Molina, Ruiz Morales, Martin Gonzalez, Orts Romero, Amaya Bergue.
Krejt në fund të shfaqjes, balerina Orts Romero, e cila luajti rolin e “Carmen” ka treguar “çelësin” e interpretimit të saj të jashtëzakonshëm në këtë shfaqje.
“Kur unë luaj “Carmen” jam në një botë krejt tjetër. Ndonjëherë jam e guximshme, ndonjëherë jam e trishtuar dhe ndonjëherë jam e lumtur. Carmen është si unë. Ajo ndonjëherë është e trishtuar, ndonjëherë është duke luftuar për dashurinë, dhe për çdo gjë tjetër. Unë ndihem si unë, por në një botë tjetër”, ka thënë balerina e cila ngërtheu vëmendjen e publikut me paraqitjen e saj të mahnitshme.
Ndërsa balerini Gutiérrez Molina, i cili e ka përshtatur këtë shfaqje me tematikën e FemArt tha se fokusi i shfaqjes nga vallja si art skenik është zhvendosur te trajtimi i qështjeve në baza gjinore.
“Shaqja “Carmen” është një krijim i ri, ku fokusi është vendosur te gratë sepse mendoj që tema e ‘Carmen” është shumë aktuale edhe sot. Nuk është se u jep fuqi grafe në valle dhe në artin skenik. Qëllimi i shfaqjes është për t’u dhënë zë shumë grave që vuajnë shumë gjëra si dhuna gjinore, abuzimi dhe pabarazia”, ka bërë të ditur balerini Molina.
Kurse drejtoresha e FemArt-it, Zana Hoxha, në një prononcim për media ka treguar arsyet përse shfaqja “Carmen” është përzgjedhur për të shënuar hapjen e edicionit të 12-të të FemArt-it.
“Është përzgjedhur pikërisht për shkak të mesazhit të dashurisë dhe pasionit që lidhet me temën, por natyrisht edhe për femicidin, i cili është problem fatkeqësisht shumë i madh në Kosovë. Ndonjëherë gjërat duken pasiononte, të bukura në shikim të parë, por jo gjithmonë përfundojnë ashtu. Kështu që jemi munduar që ta paraqesim shfaqjen me këtë mesazh. Kemi shprehur dëshirë që të shënojmë hapjen me këtë shfaqje për të kthyer edhe një lloj energjie të mirë sepse momentalisht siç e dini bota është në një gjendje jo të mirë”, ka thënë drejtoresha Hoxha, duke potencuar që një pjesë të programit i është dedikuar luftës, konfliktetve por edhe paqes, ndërtimit të besimi të ndërsjellë, pa marrë parasysh diferencave si qenie njerëzore.
Drejtoresha Hoxha më tej ka thënë se qëllimi i edicionit të 12-të të FemArt-it paraqet thirrje për paqe dhe motërzim.
“Qëllimi i këtij edicioni është pikërisht thirrja për paqe, dhe nevoja për të pasur një lloj stabiliteti më të madh. Është thirrja për tejkalimin e barrierave qoftë të brendshme, qoftë atyre të jashtme. Një thirrje për frymë pozitive e cila na bën njerëz më të mirë. Baza e feminizmit është te solidariteti dhe motërzimi. Kështu që kemi dashur të thirremi në këtë, në mënyrë që të vazhdojmë të reflektojmë, të ngjallim më shumë dashuri e mirëkuptim. Të mos bashkëveprojmë me konfliktin, por të bashkë ndjejmë me paqen dhe të bashkëveprojmë me paqen”, është shprehur në fund drejtoresha Hoxha.
Festivali Ndërkombëtar i Artisteve dhe Aktivisteve- FemArt me moton “Motërzimi: n’Kohë Lufte Dhe Paqe” ka filluar mbrëmë më 25 Shtator, dhe do të zgjasë deri më 30 Shtator./ KultPlus.com