Qendra për Art Bashkëkohor shpallë tre finalistët e çmimit ‘Artistët e së nesërmes 2024’

29 Shtator, 2024 - 3:26 pm

Qendra për Art Bashkëkohor ka zgjedhur finalistët Mimoza Sahitin, Luiza Thaqin dhe Dion Zeqirin për çmimin ‘Artistët e së nesërmes 2024’.

Anëtarët e jurisë së çmimit Artistët e së nesërmes 2024 janë takuar më 26 shtator 2024.

Pas shqyrtimit të dhjetë aplikimeve nga artistët që plotësonin kriteret e çmimit dhe pas diskutimeve të gjera, juria zgjodhi njëzëri tre finalistët, bazuar në propozimet e tyre premtuese dhe vlerësimet e punës së tyre deri më tani.

Tre finalistët ofrojnë provokime të guximshme dhe të nevojshme që flasin për kompleksitetin tonë të përbashkët.

Me imazhet e thjeshta dhe ngacmuese, eksplorimi i patrembur i Mimozës për gjendjen e gruas sjell një cënueshmëri të brishtë që ofron një rrëfim thellësisht personal por universalisht politik. Arti i Mimoza Sahitit, i rrënjosur në vizatim dhe pikturë, eksploron marrëdhëniet dinamike midis botëve tona të brendshme dhe mjedisit të jashtëm i cili ndryshon vazhdimisht. Puna e saj luan me idenë e hapësirave “të ndërmjetme” dhe formave të papritura që ato marrin, duke u zhytur thellë në përvojën njerëzore. Me një përzierje unike të humorit dhe dramës, ajo vë në dyshim se çfarë do të thotë të jesh njeri, duke shtyrë vazhdimisht kufijtë e mënyrës se si ne e shohim, ndjejmë dhe kuptojmë artin dhe shoqërinë.

Fokusi kritik i Luiza Thaqit në strukturat shoqërore dhe ndikimin e tyre ekologjik prek çështjet që variojnë nga pronësia e tokës së grave në Kosovë deri te çështja e të drejtave të tokës të të vendosurve/kolonistëve në mbarë botën, duke e bërë punën e saj thelbësore në debatet urgjente socio-ekologjike të ditëve të sotme. Nëpërmjet punës së saj, ajo vë në pikëpyetje dhe sfidon se kush ka çasje në tokë dhe pse, duke theksuar betejat më të thella sociale dhe politike në funksion. Duke rimenduar pronësinë e tokës, Luiza na fton të rimendojmë vetë konceptin tonë për shoqërinë dhe marrëdhëniet njerëzore dhe se si mund t’i formësojmë ato në mënyrë më të barabartë.

Angazhimi i artit të Dion Zeqirit me forcat e padukshme – entitetet që e rrethojnë dhe përbëjnë ekzistencën tonë – përmes materialiteteve dhe mediumeve të ndryshme prezanton një këndvështrim të ri mbi marrëdhëniet ndërmjet fizikes dhe jofizikes. Zeqiri ju tërheq me fuqinë e tij të shqetësuar, pothuajse të nënvlerësuar; ai eksploron se si mendja dhe trupi ndërveprojnë në mënyra që duken të njohura dhe janë poashtu turbulluese. Nuk ka të bëjë vetëm me atë që është, por edhe me atë që mungon – dhe shkëputjen mes të dyjave me që vazhdon të jetojë me ty. Është subtile por me ndikim, mbresëlënëse për mënyrën se si ju bën t’i shihni gjërat ndryshe.

Anëtarë të jurisë së çmimit Artistët e së nesërmes 2024 janë Julieta Aranda, artiste, bashkëthemeluese dhe redaktore e e-flux, Berlin, Miljana Dunđerin, artiste, drejtoreshë e qendrës private kulturore “Akvarijus”, Mitrovicë Veriore, Dr Vjollca Krasniqi, sociologe, Profesoreshë e Asociuar në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës, Alper Turan, kurator dhe shkrimtar, me seli në Nju Jork dhe Stamboll, dhe Lulzim Zeqiri, artist, që punon dhe vepron ndërmjet Kosovës dhe Austrisë.

Ekspozita e çmimit Artistët e së nesërmes 2024, me artistët e nominuar Mimoza Sahiti, Luiza Thaqi dhe Dion Zeqiri, do të hapet më 1 nëntor 2024.

Fituesit do t’i shpërblehet një program rezidencial artistik dy mujor në New York, SHBA, në Residency Unlimited nga maji deri në qershor 2025 dhe një ekspozitë personale në kuadër të programit vjetor të Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë për vitin 2026.

Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë falënderon të gjithë artistët kosovarë që aplikuan për çmimin Artistët e së nesërmes 2024 për punën dhe bashkëpunimin e tyre të vazhdueshëm.

Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë falënderon jurinë e çmimit Artistët e së nesërmes 2024 për punën dhe bashkëpunimin e tyre.

Mbështetësit kryesor të Çmimit Artistët e së nesërmës 2024 janë: Trust for Mutual Understanding (TMU), Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Komuna e Prishtinës. Lista e plotë e donatorëve dhe partnerët bashkëpunues do të shpallet me kohë./ KultPlus.com

Të ngjajshme