1 Tetor, 2024 - 12:29 pm
”Jam në Turne” titullohet filmi dokumentar kushtuar aktorit Pandi Raidhi, Artist i Popullit, që u shfaq mbrëmjen e djeshme në Qendrën për Hapje dhe Dialog, COD.
Ky film nxjerr në pah figurën e papërsëritshme të aktorit, që qëndron në piedestalin e skenës dhe të ekranit shqiptar. Përmes materialeve të rralla, regjistrimeve filmike, intervistave nga kolegët e familjarët, dokumentari tenton të sjellë historinë e jetës, një histori triumfi, talenti, pune të palodhur dhe përkushtimi në skenë dhe në ekran.
Pandi Raidhi diti të ishte dhe të mbetet në kujtesën e kolegëve një njeri i mirë, një bashkëpunëtor komod dhe me shumë humor, i pasionuar dhe i vendosur për të përmbushur me shpirt rolet, karakteret, personazhet, ato përfaqësime kinematografike që e kanë vendosur atë në kolonën e korifenjve të artit tonë skenik.
Disa prej filmave më të spikatur ku ai ka interpretuar janë: “Yjet e netëve të gjata”, “Përballimi”, “Krevati i Perandorit”, “Zonja nga qyteti”, “Një shoqe nga fshati”, “Beni ecën vetë”, “Rrugicat që kërkonin diell” etj.
Pandi Raidhi lindi më 14 prill 1921 në qytetin e Korçës. Ai e nisi karrierën e tij artistike në vitin 1937 me shfaqen teatrale “Dasma korçare”, ku fitoi menjëherë simpatinë e publikut korçar.
Mori pjesë në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare në radhët e Rinisë Antifashiste. Në vitin 1948 pas mbarimit të shkollës së mesme u fut në punë në Teatrin Popullor (sot Teatri Kombëtar) ku interpretoi dramën “Dasma korçare”. Në vitin 1950 u kthye në teatrin “A. Z. Çajupi” të Korçës ku do të interpretonte me dhjetëra role.
Pandi Raidhi u nda nga jeta më 18 korrik 1999./atsh/KultPlus.com