Gruaja që i dha shpirt muzikës shqiptare, Ami Krajka mes Shqipërisë, Amerikës dhe dashurisë së madhe për Kosovën

1 Tetor, 2024 - 1:25 pm

Isak Bilalli

Të paktë janë ata që e njohin me emrin e tapisë së lindjes, Semiramis Krajka, pothuajse të gjithë pa përjashtim e njohin ose si zyshë Ami apo vetëm si Ami Krajka, një zonjë e denjë që tërë jetën e saj ia dedikoi artit muzikor, në Shqipëri e më gjerë.

Me origjinë nga Kanina e Vlorës, Ami vjen nga një familje aristrokrate që i dhuruan kombit gjithçka që patën, respektivisht shkrinë tërë pasurinë e tyre e në shërbim të përparimit kulturor dhe forcimit të identitet kombëtar. Njësoj si paraardhësit e saj edhe zysha ka vënë në funksion gjithë potencialin e saj në shërbim të artit, kulturës e muzikës duke mos kursyer asgjë nga vetja e saj, për të cilin shërbim jetësor, me shumë modesti  thotë se e gjitha është çështje ADN-je, por dellin për muzikën pohon se është çështje geni që e ka të trashëguar nga e ëma e saj.  

Sot, ajo jeton mes Tiranës dhe New Yorkut me dy djemtë e saj Uliksin dhe Fatrinin, të dy virtuozë të rinj të artit muzikor që notojnë ujërat ndërkombëtare të zanatit.

Në Tiranë, zyshën e gjen në lagjen e njohur si ish-Kinema 17 nëntori, aty ku gjyshi i saj themeloi kinemanë e parë shqiptare, sot një bllok bizneso-rezidencial, respektivisht tek Kafe Lemza, që vazhdon të jetë një pikë reference të cilën e njohin gjithë tironsit,  sapo t’ia përmendësh emrin.

Ashtu siç Lemza është kryevepra e muzikës së lehtë shqiptare, kafe Lemza shërben si vend pelegrinazhi ku sot artdashës të shumtë dynden për të shijuar një filxhan kafe paksa ndryshe, ngase aty është edhe mundësia që të rastësisësh a takosh ndonjërin nga Krajkanët dhe të shkëmbesh muhabete arti e kulture.

Deri dje,  zysha, kafen e mëngjesit e konsumonte te kjo kafene në shoqërinë e të shoqit, ndërsa sot në mungesë të tij, atë e gjen në shoqërinë e familjarëve e miqve të saj të shumtë, me të cilët vazhdon të jetë inspiruese për të bërë diçka më shumë. Ajo, vazhdon të nxisë të tjerët të japin sa më shumë nga vetja e tyre në shërbim të ngritjes dhe ringritjes cilësore, sepse vetëm duke punuar fort arrihet gjithçka në jetë, madje edhe ato objektiva që mund të duken të pa-arritshme në shikim të parë.    

Edhe në këtë moshë, zysha zhvillon jetën e saj bazuar në këtë formulë, ajo vazhdon të jetë kërkuese edhe në profesionin e saj, gjë që e bën të jetë një nga divat e pavdekshme të muzikberjes, e cila kontribuoi cilësisht tërë jetën me qëllimin e vetëm, ngritjen kulturore të shoqërisë shqiptare.

Krijimtaria e saj për nga lloji është unike dhe e rrallë, ndërsa kontributi i saj mund të thuhet me plot gojën që është i pa-matshëm, sepse veproi e krijoi në kohërat më të vështira historike të artit muzikor.

Që në moshë të hershme, Ami ishte një pasionante e muzikës, ndaj duke qenë koshiente për potencialin e saj, ajo i drejtoi velat drejt liceut artistik, respektivisht në vitin 1965, ajo iu bashkua studimeve për violë në klasën e profesorit Benjamin Guraziu, të cilën e mbaroi me ekselencë, shkollë e cila i hapi dyert asaj që të bëhej pjesë e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit si dhe Ansamblit Popullor në Tiranë. Si edhe të tjerë artistë, Ami pati fatin të kishte bashkëpunim me mjeshtërit e mëdhenj të kohës, të cilët hodhën themelet e artit muzikor në Shqipëri.

Përtej krijimtarisë së saj artistike, emri i saj lidhet ngushtë me zgjedhjen që ajo kishte bërë për shokun e jetës së saj, me të cilin, në një fare mënyre, arritën të hyjnë në histori si, çifti që i dha fryme rinore dhe lirie artit muzikor në Shqipëri.

Natyrshëm, krijimtaria artistike e Amit është e lidhur me krijimtarinë e të shoqit, fizarmonistit, kompozitorit të dashurisë, rinisë, folklorit dhe jo vetëm; “Artistit te Madh”, “Nderit te Kombit” Agim Krajka, tani i ndjerë, me të cilin zyshë Ami pati një jetë bashkëshortore që mund të thuhet se ishte gati përrallore.

E veçanta është se midis këtij çifti prevaloi dashuria për muzikën, të cilët së bashku arritën të bëhen të pazëvendësueshëm në botën e muzikës shqiptare. Pikërisht për shkak të kësaj veçantie që i karakterizonte, qarqe të ndryshme mediatike, Amin dhe të shoqin e saj, e kanë cilësuar si çifti që diti të krijoje dhe të luajë valsin e dashurisë, të cilët opinioni i gjerë artistik i cilësoi si, më të dalluarit, më të dashurit e, që i dhanë publikut ndjenja të forta krenarie dhe madhështie përgjatë një karriere gjysmë shekullore.

Gjithë jeta dhe rrugëtimi artistik i zonjës së respektuar përbën vërtetësinë e postulatit se, pas një burri të suksesshëm qëndron një grua e fortë, Ami ishte e tillë, ishte ajo që i qëndroi burrit te saj pranë, duke e mbështetur dhe ndihmuar atë vazhdimisht në krijimin dhe kompozimin e perlave të muzikës shqiptare. Me pak fjalë, falë dashurisë së saj për muzikën, ajo diti dhe ia arriti ta mbështesë atë në krijimtarinë e tij, por në të njëjtën kohë ia doli të realizojë një krijimtari të veten, gjë që e bën atë një ndër ikonat e artit dhe muzikës shqiptare. Duke qenë se bashkë-krijuan me të shoqin, ai, suksesin e tij gjithmonë ia dedikonte Amit, dhe kjo jo për gjentilesë, porse vërtetë Ami ishte një muzë, jo vetëm në jetën e tyre familjare, por ajo ishte vërtetë frymëzimi për krijimtarinë e tij artistike.

E gjithë kjo histori dashurie e suksesi e ka zanafillën e saj te Festivali i XVI-të i RTSH i vitit 1969, kohë kur Ami për herë të parë takoi Gimin (emër me të cilin zysha e thërriste të shoqin), dhe nga ky event muzikor kombëtar filloi të marrë jetë një histori model dashurie e suksesi profesional, ndër më të suksesshmit në historinë shqiptare.

E tillë ka qenë e vazhdon të jetë gjithmonë zyshë Ami, e dashur, suportuese, e thjeshtë, e hareshme, plot energji e kurajo deri në skajshmëri, një grua e cila akoma vazhdon të dhurojë edhe në ditët e sotme, por rrallë herë merr nga të tjerët. Ajo, pa dyshim, mund të quhet hyjneshë në fron, ngase me punën që ajo ka bërë ishte një nga kontribuueset organike të evolucionit kulturor që sot e gjejmë në botën e artit, respektivisht në ngritjen e cilësisë së vlerave muzikore.

Muzika ishte dashuria e saj e përjetshme dhe e përtejme…

Rruga e saj drejt suksesit dhe arritjeve, nuk ka qenë aspak e lehtë, por e mbushur me barriera pothuajse të pakalueshme, por ishin këto vështirësi që e bënë atë, të jetë një grua e palëkundur në realizimin e ambicieve të saja. Krijimtaria e saj artistike është e lidhur ngushtë me Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit, ku përgjatë një karriere të gjatë shërbeu si një aset i pazëvendësueshëm, duke bashkëpunuar me artistët e kompozitorët e kohës që e bënë pjesë e projekteve madhore që industria muzikore e atyre viteve krijoi.

Ami, ishtë një nga ata muzikantë që, kurrë nuk ngurroi të jepte kontributin e saj të vyeshëm tek Orkestra Simfonike, Filarmonia dhe Kori i TKOB, të jepte nga vetja e saj për këngëtarët lirikë, për trupën e baletit, për dirigjentët, për regjisorët etj.

Ajo me të cilën ajo bashkë me të shoqin e saj mund dhe duhet të krenohen e që për ta është ndoshta arritja më e rëndësishme, është edukimi me po të njëjtën frymë për dy djemtë e tyre, viganë të artit muzikor, të cilët sot sfidohen në nivelet akademike të mësimdhënies dhe krijimtarisë muzikore në Evropë dhe Amerikë dhe dinjitetshëm ndjekin trashëgiminë dhe ecin në trasenë të cilën shtruan prindërit e tyre.

Ami është ajo që ka bartur mbi supe gjithë presionin e kohës së regjimit ndaj familjes së saj, sepse edhe kur familja Krajka i këndonte dashurisë, rinisë e shqiptarisë, sigurimi i shtetit intensifikonte metodat e survejimit dhe intimidimit deri në kërcënim për zhdukje e shfarosje. Është më së e qartë që zysha bënte një jetë nën kërcënim të vazhdueshëm, një lloj persekutimi sistematik, sepse vetë regjimi i kohës kishte frikë nga tingujt e këngëve që dilnin nga shtëpia e Krajkëve, se mbase mund të shkaktonin revolucion.

Edhe në ato rrethana tmerri, zysha vazhdonte punën e saj me ngulm duke e ndarë kohen mes Operas si orkestrante, krijimtarisë së saj dhe familjes. Ajo diti që në çdo situatë vështirësie të mos ndalet asnjëherë, e krejt natyrshëm të vazhdojë sfidën e saj drejt sukseseve të mëtejme. Tani, me aq dhimbje sa ajo kujton vështirësitë me të cilat përballeshin ato kohë në Shqipërinë komuniste, mes turbulencash e lajthitjeje njerëzore, por me aq mallëngjim ajo kujton kohën dhe punën e saj me kolegët e saj, me nxënësit e saj, me bashkëpunëtorë e prodhues të mirëfilltë të artit shqiptar.

Zyshe Ami një patriote që vazhdon të mbaj në zemër Kosovën…

Ami, kishte miqësi familjare e profesionale me shumë artistë të mëdhenj nga Shqipëria por një vend të veçantë në raportet e tyre ndërmiqësore zinte Nexhmije Pagarusha e cila në kujtesën e saj renditet në sirtaret e lartë. Për të, mbeten të pashlyera takimet dhe komunikimet miqësore e profesionale me Nexhmijen e cila shpejt u be mikeshë e zyshës dhe familjes Krajka që nga fillimet e viteve ’70-ta, miqësi e cila ndër vite vetëm se u çimentua fort. Ky afrimitet me divën e muzikës kosovare e bëri atë të donte edhe më shumë Kosovën dhe të dyja të shkëmbenin biseda fshehurazi lidhur me shqetësimin se si jetonin shqiptarët jashtë kufijve të Shqipërisë. Kur përmendet ky raport ajo me lot në sy dëfton për dhuratën më të çmuar – fustanin e nusërisë që i kishte dërguar Nexhmije Pagarusha për martesën e saj, simbolike jetësore që e bëri të ndihej e përmbushur në të gjitha dimensionet, miqësi dhe falënderim të cilën e ruajti si një diamant të çmuar deri sa e madhja Nexhmije Pagarusha u shua nga kjo botë.

Ami, ndjehet disi e plotësuar që në ato kohë të vështira ku mbizotëronte terri informativ dhe izolimi, ajo posedonte informacion për gjendjen e bashkëkombësve dhe për ndjeshmërinë që kishin ata për atdheun mëmë.

Vitet e kthesës së madhe për zyshen…

Vitet e rënies së regjimit të ashpër komunist, e gjetën Amin dhe familjen e saj me vendimin për të emigruar matanë oqeanit. Ky vendim nuk ishte i lehtë për zyshën, por në këmbim të vazhdimit të karrierës në vendlindjen që duhej të përshkonte rrugën e tranzicionit të fortë, ajo bashkë me të shoqin zgjodhën të sakrifikojnë për një shkollim më superior për dy fëmijët e tyre dhe u larguan nga Shqipëria.

Gjithçka duhej të fillonte nga zero në Amerikën e largët.

Zyshe Ami, përnjëherësh përvoli mëngët dhe filloi të shpërndante fletushka informacioni për ofrimin e leksioneve private muzike përmes së cilës punë do të siguronte jetesën. Dashuria për mësimdhënien, për muzikën iu shpagua menjëherë,  sepse lajmi mori dhenë mes shqiptarëve të cilët jetonin në New York, dhe për një kohë të shkurtër Ami Krajka rimori epitetin zysha apo mësuesja e shqiptarëve. Nuk vonoi shumë dhe me ndihmën e të shoqit dhe të fëmijëve të cilët ndiqnin shkollimin e lartë në Amerikë, mësuese Ami hapi shkollën private të muzikës me emërtimin “Shkolla KRAJKA”, e cila funksionoi dhe edukoi gjenerata të shumta artistësh shqiptarë e amerikanë të cilët mësuan rreth artit muzikor më ndryshe se ç’mësohet në shkollat e zakonshme. Për aq kohë sa funksionoi kjo shkollë në New York, ishte vend grumbullimi ndërshqiptarësh, ku shkëmbeheshin biseda vëllazërore dhe çmalljeje për atdheun, por më shumë ishte një qendër burimore informacioni për muzikën shqiptare dhe një vend prej nga organizoheshin aktivitete të shumta kulturore për shqiptarët anë e kënd Amerikës.

Në Shtetet e Bashkuara, zysha, dëfton se ishte e plotësuar në shumë dimensione, por para sa gjithash ajo u ndje e respektuar dhe kontributdhënëse për gjithë ato aktivitete të shumta që bashkëorganizoi me shoqatën “Motrat Qiriazi” në New York, por edhe në qendrat tjera si në Chicago, Detroit, Boston etj.

Ky elan pune i zyshës, bëri që numri i të apasinuarve ndaj muzikës të ishte katërshifrorë, të cilët kishin kaluar nëpër pentagramet e zyshës dhe përthithën dituri jo vetëm nga arti muzikor por edhe kulturë e edukim profesional. Natyra e saj dashamirëse e paqtuese e bëri që ajo të jetë shumë e afërt në krijimin e njohjeve me bashkëvendës nga Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i zi…,  me të cilët sot e asaj dite mbeten raporte jetësore. Shqiptarët nga të gjitha trojet kishin dëshirën e papërshkruar që fëmijët e tyre të merrnin mësime nga zonja Krajka e cila ishte gjithmonë e gatshme të rrezatonte energji pozitive dhe e quanin veten të privilegjuar që një mësuese si ajo të edukojë gjeneratën e re të profesionistëve në ardhje.

Emigrimi matanë oqeanit ishte një fazë që e bëri familjen Krajka të ndjehet e përmbushur, sepse gjatë kësaj kohe arritën të zgjeronin gamën e njohjeve dhe përfaqësimin mbarëshqiptar në të gjitha nivelet përfshirë edhe qarqet e larta akademike të fushës.

Rikthimi në atdhe një vendim racional…

Një vendim tjetër shumë pikant dhe i qëlluar i zyshes, ishtë kthimi në Shqipëri pas më shumë se një dekade aktivitet dhe punë të palodhshme në Amerikë. Në retrospektive, lajmi për ikjen e familjes Krajka nga Shqipëria ishte trishtues, por aq ishte ngazëllues edhe lajmi për rikthimin e tyre në Shqipëri, me të cilin rast kishte mbulim mediatik të gjerë dhe sinjale shprese që përcillnin televizionet e kohës. Padyshim, ardhja në folenë e vjetër e rikthejnë Amin dhe Agimin në auditoret akademike dhe Institucionet Kombëtare të lëmisë së muzikës duke i dhënë kështu vendin honorifik që meritonin.

Te dy u bënë anëtarë të pa zëvendësuar të jurive profesionale të mega eventeve që mbaheshin  në nivel kombëtar në të cilat raste, detyra e tyre ishte të vlerësonin artistët e ndryshëm për performancat artistike. Përveç këtyre angazhimeve, zyshë Ami nuk harroi të marrë me vetë nga Amerika edhe shkollën e muzikës të cilën e emëroi me po të njëjtin emër edhe në Tiranë, e cila sot gëlon me nxënës e studentë të talentuar që duan të ndjekin rrugën që e ka ndjekur familja Krajka.

Kjo shkollë drejtohet nga i biri i zyshës, profesor Uliks Krajka ku edhe Ami vazhdon të punojë me kohë të pjesshme, sepse një pjesë të kohës, ajo ka vendosur t’ia kushtojë dy mbesave të saj, me të cilat vazhdon të bëjë punën e saj si gjyshe. Gjithsesi, Ami mbetet ajo zysha e buzëqeshur, me energji të pashtershme pozitive, inspiruese me këdo që rri në tavolinë, e cila jo vetëm që refletkton dashamirësi e miqësi, por edhe mbjell në shpirtin e bashkëbiseduesit po të njëjtat atribute që i ka ajo.

Largimi i të shoqit nga kjo botë, e bën Amin të jetë pak më të tërhequr dhe e mbështjellë me një membranë të hollë dhimbjeje dhe nostalgjie, ndaj dhe në bisedë është i dallueshëm boshllëku që ndjen, për të cilin nuk e fsheh as mungesën, por as edhe ndjenjën e krenarisë.

Krijimtaria e saj dhe e të shoqit ka bërë që Krajka, sot të jetë më shumë se një emër i zakonshëm, por është Zonja që e bëri, ky emër të jetë një brand shqiptar dhe u arrit me punë dhe angazhim jetësor.

Ami Krajkës i detyrohen të gjithë shqiptarët dhe e vetmja mënyrë që mund të shlyhet detyrimi qytetar e kombëtar është të themi zyshës faleminderit.

Faleminderit Zyshë Ami!  

Falë fisnikërisë, elokuencës e klass-it tuaj, sot gjejmë lule, fidane e bulëza të panumërta në kopshtin e quajtur art muzikor dhe ne të gjithë pa përjashtim shijojmë këngët e meloditë e pavdekshme që ju krijuat e bashkëkrijuat gjatë karrierës suaj të bujshme.

Edhe njëherë, falimnderit zyshë!/ KultPlus.com  

Të ngjajshme