Tri ditë me “RESPOETICA” në Prizren

1 Tetor, 2024 - 1:51 pm

Më 4, 5 dhe 6 tetor nis Edicioni i 1-rë i Festivalit të Poezisë “RESPOETICA” në Prizren, që organizohet nga organizata për diplomaci kulturore “Social Creativity”.

Ky edicion i kushtohet kryesisht lidhjeve të dy ish-kryeqyteteve të dikurshme shqiptare Prizren-Shkodër, si ringjallje e zakoneve tradicionale me lidhje të forta kulturore, ekonomike, tregtare dhe patriotike. 

Në edicionin e sivjetëm të ftuar janë: Primo Shllaku, Ledia Dushi,  Stefan Çapaliku, Arjola Zadrima, Leon Mirakaj dhe Denata Rroji nga Shkodra, si dhe Ilire Zajmi, Fahredin Shehu, Taner Gyçlytyrku, Vjollca Bajraj dhe Festim Avdyli nga Prizreni.

“Theks të veçantë duam t’i japim ceremonisë së çmimit për kontribut jetësor në fushën e gjuhës, të kulturës dhe të artit. Me këtë rast duam t’ju njoftojmë se bordi i organizatës “Social Creativity”, bordi i festivalit “RESPOETICA”, në bashkëpunim me Komunën e Prizrenit, ka vendosur që laureat i Edicionit të 1-rë të Festivalit “RESPOETICA” të shpallet krijuesi nga Shkodra, Primo Shllaku, si një personalitet i rëndësishëm dhe me peshë të veçantë në sferat e letërsisë, të gjuhës, të kulturës dhe të artit në përgjithësi”, thuhet në njoftimin e organizatorëve.

Më poshtë është programi i këtij edicioni për tri ditët sa edhe do të mbahet “RESPOETICA”.

– dy takime poetike;

– promovimi i librit të shkrimtarit Primo Shllaku, «Pesha e padurueshme e pafajësisë»;

– hapja e ekspozitës së artistit të fotografisë, Fahredin Spahija «Shpirti dervish»;

– shfaqja baleti «Dimnat e fëminisë» nga Vjollca Llugiqi dhe Fisnik Smani;

– Pika muzikore, soprano Arta Jashari nën përcjelljen e Andi Durakut;

-Ligjeratë, Jeton Jagxhiu «Djathi i sharrit, kulturë e veçantë e qytetit të Prizrenit»

– ceremonia e ndarjes së çmimeve si dhe 

– ceremonia e vendosjes së pllakës «Personaliteti i 1-rë i Festivalit «RESPOETICA» në Sheshin Shadërvan.

Edicioni i 1-rë i Festivalit të Poezisë  “RESPOETICA” mbështetet nga Ministria e Kulturës, Komuna e Prizrenit dhe Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore – Prizren.

Ndërsa sponsor medial është, gazeta online për art dhe kulturë – KultPlus./ KultPlus.com

Të ngjajshme