2 Tetor, 2024 - 6:35 pm
“Ahengu Shkodran”, vazhdimi i një tradite të hershme të lidhur me zhvillimin e muzikës shkodrane uli siparin e edicionit të 12-të tij në Muzeun Historik të qytetit. Artistët më në zë interpretuan në mënyrë mjeshtërore këngët më të bukura ndër vite.
Artistja e mirënjohur Mukades Çanga dhe kryeashiku i ahengut, Agim Molla ishin artistët që sollën atmosferë për të pranishmit.
Kënga popullore është një nga simbolet e Shkodrës, u shpreh në përfundim të kësaj nate, udhëheqësi artistik Bardhyl Hysa.
“Jam krenar për këtë aktivitet pasi çdo vit po rritet dhe shpresoj që Shkodrës nuk i mungojnë talentet dhe sidomos për këngët popullore. Shpresoj të rikthehet tradita e këngës popullorë që mos të humbasim këto vlera pasi me me këto vlera ne dallohemi nga popujt e tjerë”,-tha Bardhyl Hysa, udhëheqës artistik.
Me entuziasmin që i karakterizon, disa nga artistët e rinj thonë se ndihen me fat që janë trashëgimtarë të këngës shkodrane.
“Emocionet janë gjithmonë të mira dhe pse jo ne marrim emocione prej publikut dhe japim emocione duke kënduar këngët e mrekullueshme qytetare shkodrane. Te jem pjesë e kësaj tradite është diçka e mrekullueshme sepse kënga qytetare shkodrane është trashëgimi kulturore”,-tha Ajdis Hasani, këngëtar.
“Të qenurit pjesë e grupit karajfilet që ka Shkodra asht kënaqësi e madhe sepse është një grup prej shumë vitesh dhe një djalëri vogël si unë me një moshë të vogël 16 vjeç nuk është pak”,-tha Denis Fikaj, këngëtar.
Edicioni i 12-të i Ahengut Shkodran erdhi i organizuar nga Qendra Kulturore “Pjetër Gaci”./euronews/ KultPlus.com