Rama: Shumë shpejt sjellim ‘Paketën e Maleve’, ndihmë investimeve në vendlindje për sipërmarrje turistike

8 Tetor, 2024 - 10:00 pm

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “Paketa e Maleve” është një program komplet i ri për të mbështetur të gjithë ata që janë jashtë dhe që duan ndihmë për të investuar në shtëpitë e tyre për t’i kthyer në sipërmarrje biznesi turistik.

Në një takim me kryebashkiakët në Kryeministri për bashkëpunimet në interes të komunitetit për të diskutuar për platformat e dialogut, emergjencat civile dhe ndihmat sociale, Rama u ndal fillimisht tek lejet për ndërtim që janë nevoja imediate të qytetarëve që jetojnë, sidomos në zonat rurale dhe që duan të shtojnë një dhomë, të rregullojnë ҫatinë etj, proces që e cilësoi pozitiv.

Por, shtoi Rama, “ndihma juaj për të identifikuar dhe për neutralizuar ҫdo lloj punonjësi policie që ju shfaqet, nëpër avlli qytetarëve, familjeve që jetojnë në fshat është shumë e ҫmuar”.

Sepse, theksoi Kryeministri, “fatkeqësisht ky fenomen, ka ardhur duke u zvogëluar, por është problem, akoma është problem, që iu shkojnë për një avlli dhe iu rrinë tek koka dhe kuptohet pse. “Jo e ke lejen, jo s’e ke lejen””.

Rama theksoi se ky fenomen duhet të ndalohet totalisht.

“Besoj që shumë shpejt gjatë këtij muaji ne do të prezantojmë atë që e kemi quajtur “Paketa e Maleve”. Është një program komplet i ri për të mbështetur të gjithë ata që janë jashtë dhe që duan ndihmë për të investuar në shtëpitë e tyre për t’i kthyer në sipërmarrje biznesi turistik. Kur them jashtë, ata që janë në emigracion, apo ata që janë në Tiranë dhe kanë një pasuri atje. Është një paketë besoj pozitive sepse kemi punuar që të mos jetë një gjë pak, por është goxha domethënëse dhe patjetër që është një paketë që duhet ta përdorni ju në kuptimin që duhet ta shfrytëzoni për të inkurajuar më shumë dhe për t’i dhënë më shumë shtysë atyre që e kanë me 2 mendje”, u shpreh Rama.

Në takimin me kryebashkiakët, Rama foli edhe për rritjen e pagave të punonjësve të pushtetit vendor, që e cilësoi edhe meritë të tyre./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme