11 Tetor, 2024 - 8:30 pm
Manastiri i Ungjillizimit në fshatin Vanistër të Gjirokastrës po i nënshtrohet restaurimit.
Lajmi u bë i ditur nga ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, i cili ndau foto nga puna për restaurimin e manastirit.
Restaurimi i këtij manastiri përveç stabilizimit nga degradimi i lartë, synon më tej edhe shfrytëzimin për një turizëm të kujdesshëm kulturor.
Ky projekt financohet nga Departamenti Amerikan i Shtetit, Fondi i Ambasadorëve për Ruajtjen e Trashëgimisë Kulturore, të SHBA dhe Ambasada e SHBA në Shqipëri, përmes CHwB.
Kisha e Ungjillizimit është ndërtuar në vitin 1582. Këtë e vërteton mbishkrimi i gdhendur mbi një tullë të murosur në apsidë jashtë kishës.
Manastiri i Ungjillëzimit është rreth një orë mbi fshatin Vanistër të Dropullit. Në qendër të manastirit është kisha e Ungjillizimit, ndërsa konakët janë në anën jugore.
Manastiri është i rrethuar me mure. Kisha e manastirit i është kushtuar Ungjillizimit të Hyjlindëses dhe kremton më 25 mars./ KultPlus.com