80-të vjetori i piktorit Edi Hila, Gonxha: Magjia e penelit të tij ka skalitur një vend të përhershëm në historinë e artit shqiptar

13 Tetor, 2024 - 3:34 pm

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja uroi sot piktorin Edi Hila me rastin e 80 vjetorit të lindjes.

Gonxhja u shpreh se, magjia e penelit të këtij artisti të madh, ka skalitur një vend të përhershëm në historinë e artit shqiptar.

“Edhe 100 Edi Hila! Magjia e penelit të këtij artisti të madh, ka skalitur një vend të përhershëm në historinë e artit shqiptar, duke dhuruar vepra që flasin me gjuhën e shpirtit”, shkruan Gonxhja.

Edi Hila lindi në Shkodër më 13 tetor të vitit 1944. Ai është një nga piktorët e rëndësishëm në artin bashkëkohor shqiptar, i prirur drejt një pikture figurative.

Pasi përfundoi studimet e larta pranë Institutit të Arteve në Tiranë në vitin 1967, Hila filloi punë si skenograf në Radio Televizionin Shqiptar. Në vitin 1972 ai pikturoi Mbjellja e Pemëve, një pikturë që fillimisht u vlerësua nga publiku dhe kritika e kohës. Një vit më vonë, Hila kreu një formim profesional si skenograf pranë stacionit televiziv të Firences. Kontakti me muzetë si dhe pikturën rilindase do të kishte në të ardhmen një ndikim i rendësishëm në punën e Hilës.

Punët e tij janë në Koleksionin e Centre Pompidou, Paris, Galeria Kombëtare e Arteve, Tiranë, Koleksioni privat i Rene Block, Frac-Auvergne, Koleksioni Ville de Paris. Veprat e tij janë  ekspozuar në galeri të artit në shumë qytete të botës, përshirë këtu në Athinë, Varshavë, Vjenë, Milano e të tjera./atsh/ KultPlus.com

Të ngjajshme