Sekreti i Estonisë, shtetit digjital të Evropës

13 Tetor, 2024 - 7:00 pm

Për Toomas Ilvesin, 70 vjeç, kompjuterët nuk kanë qenë asnjëherë diçka e panjohur.

Por, krejt të panjohura ishin e ardhmja dhe dobitë që do t’i sillnin idetë e tij mbarë Estonisë.

Ilves, ish-president i Estonisë gjatë viteve 2006-2016, është rritur dhe është shkolluar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pas ikjes së familjes së tij nga regjimi sovjetik.

Rënia e Bashkimit Sovjetik, rikthimi i pavarësisë së Estonisë, dhe hovi i internetit në SHBA nuk kanë ndodhur në distanca shumë të largëta.

Ilves, i cili ka qenë ambasadori i parë i Estonisë në SHBA, i ka treguar Radios Evropa e Lirë për përpjekjet që ka bërë për të vendosur shtetin e tij në hartën e botës.

Perspektiva, fillimisht, ishte e zymtë.

Estonia është vend me 1.3 milion banorë, i ka rreth 4.000 ushtarë, dhe vështirë krahasohet me fqinjët – Finlandën apo Rusinë – për nga numri i popullsisë apo fuqia ushtarake.

Pikërisht këtu Ilvesit i hyjnë në punë mësimet e fëmijërisë.

“Finlanda është tetë herë më e pasur sesa ne [Estonia]. Ata regjistrojnë rritje vjetore të vogël, prej 1 për qind, ne regjistrojmë rritje vjetore prej 9 për qind, dhe ata sërish janë më të pasur sesa ne. Pra, s’ka shpresë. Duhet gjetur diçka në të cilin jeni të barabartë. Asokohe, ajo pikë ishte interneti. Prandaj, i propozova Qeverisë që Estonia të niste ashtu si nisa unë, pra t’i mësojmë fëmijët si të përdorin kompjuterët”, u shpreh ai.

Bëhet fjalë për vitin 1993. Pas tre vjetësh, më 1996, nxënësit në Estoni nisën mësimet për kompjuterë dhe teknologji, kurse më 1998-1999 të gjitha shkollat në Estoni kishin qasje në internet.

Rreth 30 vjet më vonë, Estonia është vendi që ofron online 99 për qind të shërbimeve publike.

Erica Rudiger, banore e Tallinit, përmend aplikimin për patentë shofer, letërnjoftim, pasaportë, hapje të bizneseve, dhe hapje e mbyllje të pushimeve mjekësore.

Në këtë shtet edhe votohet online. Mund të plotësohet edhe aplikacioni për martesë – por, jo për divorc.

Në Estoni janë krijuar kompani me nam global. Skype, platformë për komunikime, dhe Bolt, kompani për shërbime transportuese, janë disa prej tyre.

“Ne kemi 10 ‘njëbrirësha’ në Estoni, që do të thotë një ‘njëbrirësh’ për çdo 130.000 banorë në këtë shtet – pra kompani miliardëshe. Pas përfundimit të mandatit, i vizitova dhe i pyeta këta persona, të gjithë në të 30-at e tyre, pse i kanë hyrë kësaj pune, dhe ata thanë se ‘kam qenë njëri prej fëmijëve në programin tënd’”, tregoi Ilves për Radion Evropa e Lirë.

Shteti digjital

Pas nxënësve në shkolla, në kuadër të fazës së dytë Estonia nisi të edukonte pjesën tjetër të popullsisë, dhe, shumë shpejt, vendi u bë i njohur me emrin e dytë: shteti digjital [e-country].

Por, Marju Hendre, analiste e lartë në Autoritetin e Sistemit në Estoni – që funksionon brenda Ministrisë për Çështje Ekonomike dhe të Komunikimit – është e vetëdijshme që një shtet digjital mund të jetë edhe në shënjestër.

Ajo i ka treguar Radios Evropa e Lirë se Rusia është kryesisht mbrapa sulmeve që kanë për qëllim pamundësimin e marrjes së shërbimeve.

Estonia tani përballet me mbi 90 sulme kibernetike brenda një muaji.

“Më 2022, kur nisi lufta [e Rusisë në Ukrainë], numri i sulmeve DDoS [pamundësim shërbimesh] është rritur në mënyrë drastike. Kemi parë më shumë sulme brenda një muaji, sesa që paraprakisht kemi pasur brenda një viti, dhe e njëjta situatë po vazhdon. Ato janë të lidhura me zhvillimet politike. Ato kryhen si sulme ndëshkuese për diçka që kanë thënë politikanët tanë, për një vendim që kanë marrë, shembull, për të dërguar më shumë ndihmë në Ukrainë”.

Për ish-presidentin Ilves, Rusia nuk përbën kërcënim në periudhë afatgjatë.

“Nuk ka kapacitete për të bërë diçka në teknologji. Shteti që është kundër vlerave të Perëndimit është Kina. Rusia mund të zbatojë atë që shpik Kina, apo atë që vjedh prej Perëndimit – është praktikë e zakonshme, mirëpo është kreative kur është puna te teknologjia”.

Shërbimet kibernetike si ndihmë për shtetet tjera

Duke qenë pionierë në krijimin e shtetit digjital, estonezët kanë ndarë me mbi 25 vende në botë platformën për ndërtim të qeverisjes digjitale.

Platforma e Estonisë është e ndërtuar asisoj që të dhënat janë të ndara nëpër flluska të ndryshme. Nëse eventualisht një sektor sulmohet, hakerët nuk arrijnë të depërtojnë në baza tjera të të dhënave.

Liina Areng, udhëheqëse e rrjetit EU CyberNet, që shërben si platformë bashkëpunimi mes ekspertëve të kibernetikës në Bashkimin Evropian për të forcuar sigurinë kibernetike në botë, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se në gjashtë muajt e fundit, Estonia u ka ofruar asistencë kibernetike mbi 57 vendeve.

Aktualisht, ndihma është e fokusuar tek Ukraina, në dy drejtime:

1.Përmes të ashtuquajturit Mekanizëm i Tallinit ofrohet ndihmë kibernetike në sektorin civil; dhe

2.Përmes një koalicioni të teknologjisë informative koordinohet ndihma e vendeve të BE-së dhe Japonisë për sektorin civil në Ukrainë.

“Aty përfshihet ofrimi i ndihmës në infrastrukturë, por edhe në dije, shkëmbim informacionesh. Shkëmbejmë informacionet që kemi për kërcënimet, aktorët dashakëqij që veprojnë brenda shtetit, si dhe ndihmë si të menaxhohet ndonjë sulm kibernetik”, tha Areng për Radion Evropa e Lirë.

Mbështetja për Kosovën

Areng ka përmendur edhe bashkëpunimin që ka pasur Estonia me Kosovën në sektorin e qeverisjes digjitale.

Ngjashëm me estonezët, një pjesë e konsiderueshme e të rinjve në Kosovë merren me teknologji informative.

Sipas të dhënave preliminare të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, vendi i ka rreth 1.6 milion banorë, ndërsa mosha mesatare është 34.3 vjeç.

Pjesëtarë të këtij komuniteti i kanë thënë Radios Evropa e Lirë se kanë partnerë në Estoni, kryesisht si investitorë të bizneseve start-up.

Zyra e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur së voni se Kosova veçse bashkëpunon me Estoninë në fushën e digjitalizimit dhe sigurisë kibernetike, dhe se që të dyja vendet janë duke diskutuar edhe për mundësinë e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes ushtarake.

Rrjeti i vullnetarëve

Çelësi i suksesit që Estonia gëzon sot është edhe bashkëpunimi mes sektorit publik dhe atij privat. Dhe, një mori vullnetarësh.

Areng i ka treguar Radios Evropa e Lirë se si vendi i saj e ka formuar një rrjet të ekspertëve kibernetikë, të cilët mobilizohen në rast se shteti përballet me ndonjë sulm të madh kibernetik.

Ajo tha se vullnetarët e ndiejnë nevojën për të shërbyer në të mirë të shtetit.

“Është shteti ynë, jemi shtet relativisht i ri, dhe i besojmë Qeverisë sonë. Ky besim është komponenti kyç për mobilizim të njerëzve, edhe përtej sektorit publik, që t’i ofrojnë shërbimet e tyre në baza vullnetare, për të mbështetur Qeverinë, shtetin digjital”.

Pikëpamja e Ilvesit?

“Arsyeja pse kemi sukses, dhe pse Rusia na dëshiron, dhe pse mund t’i ndihmojmë Ukrainës, është e lidhur me atë që kemi bërë në shtetin tonë. Duhet ta zhvilloni vendin tuaj, ta bëni modern. Nëse keni demokraci liberale, që ju lejon të jeni të lirë, njerëzit duan liri për të krijuar gjëra”./REL/ KultPlus.com

Të ngjajshme