Peza, destinacion i preferuar për të kaluar  fundjavën mes gjelbërimit

13 Tetor, 2024 - 10:00 pm

Peza është shndërruar në një destinacion mjaft të preferuar për të kaluar  fundjavën mes gjelbërimit.

Fundjava shënon numrin më të madh të turistëve, që vijnë nga Tirana e qytete të tjera, por edhe nga vende të ndryshme.

Kryeministri Edi Rama ndau sot foto nga Peza e përzgjedhur si destinacion për shumë qytetarë, të cilët kanë preferuar ta kalojnë të dielën plot diell me një piknik në gjelbërimin e këtij fshati turistik.

Peza, një zonë mjaft e bukur dhe me shumë mundësi argëtimi, është njësi administrative e Bashkisë së Tiranës dhe gjendet pak kilometra nga qendra e kryeqytetit.

E njohur për bukurinë natyrore dhe historinë e saj, është destinacioni ideal për të kaluar momente të bukura në natyrë.

Pasi largohesh nga Tirana dhe sapo hyn në rrugën e Pezës syri të zë kodra dhe fusha të mrekullueshme dhe kafshë të fermave.

Qetësia dhe aroma e luleve është impakti i parë me të cilin përballesh, duke ndjerë oksigjenin që të mbush mushkëritë.

Peza është një fshat piktoresk, plot gjelbërim dhe histori.

Në Pezë, në një territor shumë të vogël mund të gjesh: Kështjella antike, monumente historike, arkitekturë tradicionale, monumente natyrore, lloje të rralla të florës dhe faunës, liqene, peizazhe tipik rurale, ferma bujqësore e blegtorale dhe rraca të rralla të blegtorisë.

Një tjetër atraksion për zhvillimin e turizmit në këtë zonë është edhe peshkimi, ku shumë të pasionuar pas peshkimit kanë mundësi të gjuajnë peshk në dy rezervuarët e zonës, në të cilët kultivohen lloje të ndryshme peshqish./ KultPlus.com

Të ngjajshme