21 Maj, 2018 - 4:27 pm
Ditën e djeshme më 20 maj u festua në Fushë Stude, 10 vjetori i themelimit të Parkut Kombëtar “Shebenik-Jabllanicë” me manifestimin e shumë aktiviteteve sportive, kulturore e argëtuese.
U organizuan guida me biçikleta të dhuruara nga projekti #NaturAL, panair me produkte tradicionale të përgatitura nga banorët që jetojnë në fshatrat brenda parkut, pjesëmarrja e e prodhuesve të mjaltit e të bulmetit, të veshjeve dhe gatimeve tradicionale, lojëra gazmore etj.
Specialistët e menaxhimit të parkut organizuan takime me banorët e zonës, diskutuan për përmirësimin e organizimeve e ngjarjeve festive të zonës në tërheqjen e vizitorëve vendas e të huaj që do të sjellin përmirësimin ekonomik të komunitetit.
Po këtë ditë, u inaugurua dhe një pjesë shtojcë e qendrës së pritjes së vizitorëve në Fushë–Stude, e realizuar me mbështetjen e projektit NaturAl.
“Ne po investojmë në qendrat e vizitorëve në zonat e mbrojtura për të ekspozuar të gjithë vlerat dhe biodiversitetin e pasur të natyrës së jashtëzakonshme të Shqipërisë dhe jetës së egër. Po mbështesim gjithashtu komunitetin shkencor, duke u mundësuar pikat dhe stacionet e trajnimit dhe kërkimeve, duke synuar të rrisim njohuritë rreth biodiversitetit”, tha Caterina Carugati, drejtuesja e projektit NaturAl gjatë ceremonisë.
Gjatë 2 ditëve festimesh në park, komuniteti vendas dhe pjesëmarrësit u bënë pjesë e guidave të drejtuara nga Rangers-at dhe Junior Rangers-at në shtegun Llangë, inauguruan zonat e piknikut krijuar për turistët dhe vizitorët dhe shijuan ushqimet vendase, muzikën dhe vallet tradicionale.