‘Dukagjini’ me librin ‘Edukata muzikore 3’ të autorëve Drita Rudi, Rafet Rudi dhe Donika Rudi fiton çmimin BELMA për tekstin më të mirë shkollor

16 Tetor, 2024 - 6:02 pm

Botimi shkollor “Edukatë muzikorë 3” i shtëpisë botuese “Dukagjini” i autorëve Drita Rudi, Rafet Rudi dhe Donika Rudi ka triumfuar në garën ‘‘Grupi i Botuesve Evropianë për Arsim – EEPG, duke fituar çmimin BELMA – PËR MATERIALET MË TË MIRA MËSIMORE EVROPIANE’’.

Kjo është hera e parë që një shtëpi botuese shqiptare e fiton këtë çmim, andaj përfaqësuesja e shtëpisë botuese “Dukagjini”, Erza Mati është shprehur tejet e lumtur për këtë vlerësim.

“Për ne është një kënaqësi e jashtëzakonshme dhe vlerësim i punës sonë, të cilën e bëjmë me përkushtim të madh, në bashkëpunim me profesionistët më të mirë të fushës. Por, mbi të gjitha, vlerësimi i botimit tonë në mesin e teksteve nga e gjithë Evropa, konsiderojmë që përbën një vlerësim të veçantë për vendin tonë, Republikën e Kosovës”, thotë Mati.

EEPG, garën për çmimin BELMA – PËR MATERIALET MË TË MIRA MËSIMORE EVROPIANE e organizon që nga viti 2009, së bashku me Panairin e Librit në Frankfurt dhe Shoqatën Ndërkombëtare për Hulumtime për Tekstet Shkollore dhe Mediet Arsimore. Të gjitha materialet vlerësohen nga një juri profesionale me ekspertë të lartë të teksteve shkollore, si dhe çmimet ndahen në katër kategori nga arsimi fillor deri tek ai i mesëm i lartë.

Me plot 30 vjet përvojë në botime, shtëpia botuese “Dukagjini” është ndër shtëpitë më të mëdha botuese shqiptare që është gjendur afër lexuesit me botime të ndryshme dhe tekste shkollore, duke krijuar një reputacion të padiskutueshëm për cilësi dhe përkushtim ndaj arsimit për të ardhmen e fëmijëve tanë, sot dhe atyre të nesërm./ KultPlus.com

Të ngjajshme