Kinemaja kosovare në Berlin për fundjavë, do të shfaqen 12 filma

18 Tetor, 2024 - 3:55 pm

Dymbëdhjetë filma kosovarë që përmes një reflektimi kinematografik mbi temat sociale, politike dhe historike e definojnë Prishtinën dhe kontaktin kosovar, do të shfaqen këtë fundjavë në Kino Moviemento në Berlin. Për dy ditë, audienca do të ketë rast të shohë veprat e kineastëve nga gjenerata të ndryshme, duke përfshirë filma artistikë dhe të shkurtër, dokumentarë, dhe animacion nga Kosova dhe diaspora.

Titulluar “Të Fala nga Prishtina” dhe kuruar nga Blerta Haziraj, përzgjedhja prej 12 filmash sjell
para publikut të Berlinit filma të metrazheve të ndryshme nga regjisorët më të spikatur kosovarë
të gjeneratës së re, si: Lendita Zeqiraj, Dea Gjinovci, Samir Karahoda, Ilir Hasanaj, Norika Sefa,
Edona Kryeziu, Redon Kika, Flaka Kokolli, Arnit Likaj dhe Jamin Rai, Zgjim Terziqi, Bekim Guri
dhe Orgesa Arifi.

Përveç shfaqjes së filmave, publiku do të ketë mundësi të njihet me regjisorët kosovarë, të cilët
do të ndajnë përvojat e tyre përmes sesioneve të hapura të diskutimit publik mbi rrugëtimin e
tyre krijues në Kosovë.

City Film Days është seri ngjarjesh filmike e fokusuar në hapësirat urbane si vende për rrëfime
kinematografike. Organizuar nga platforma jofitimprurëse October 21 e.V., City Film Days është
ftesë për të eksploruar realitetin e shumanshëm të hapësirave urbane, me idenë për ta zgjeruar
shkëmbimin kulturor midis Berlinit dhe komuniteteve të ndryshme të filmit.

Të Fala nga Prishtina është kënga e njohur e këngëtarit dhe aktorit Sabri Fejzullahu, e
performuar për herë të parë në festivalin e muzikës Akordet e Kosovës, në 1984. Kënga është
ftesë poetike për ta eksploruar qytetin e Prishtinës. Frymëzuar nga tema lirike e saj, programi i
filmit me të njëjtin titull e zgjeron këtë ftesë me qëllim për ta zgjeruar të kuptuarit e shoqërisë
kosovare dhe manifestimet hapësinore të saj përmes veprave kinematografike bashkëkohore.

Edicioni i parë i City Film Days do të mbahet më 19-20 tetor 2024, në kinemanë Moviemento në Berlin. Ngjarja është organizuar nga October 21 e.V.

Blerta Haziraj (1994) është hulumtuese dhe regjisore. Praktika e saj artistike fokusohet në
arkivat e literaturës feministe në Kosovë të cilat ajo i përdorë si mjet për të eksperimentuar
përmes filmit dokumentar, ekspozitave, posterave dhe fanzinave. Ajo është autore e tre filmave
të shkurtër, të cilët subjekt kanë gratë në rajonet rurale të Kosovës: ‘How I Failed Documenting
Male Gaze’ (2021), ‘Sytë dhe Duert e Jueja Duhet të Shihen Kudo’ (2022) si dhe ‘E Ardhmja
Asht ma e Mirë, Shoqe’ (2023) i realizuar si pjesë e ekspozitës së saj “ATO” në Autostrada
Biennale, 2023. Ka bashkëthemeluar Pykë/Presje, hapësirën për hulumtime arkivore, ekspozita
(Manifesta 14) si dhe prodhimin e botimeve artistike dhe eksperimentale të bazuara në historitë
lokale. Ajo është fituese e çmimit Prince Claus Fund, Seed Award, 2023. Për momentin është
duke studiuar regji në FAMU./KultPlus.com

Të ngjajshme