19 Tetor, 2024 - 2:53 pm
Biblioteka Kombëtare e Kosovës dhe Biblioteka Kombëtare e Turqisë kanë nënshkruar memorandum bashkëpunimi.
Memorandumi është nënshkruar nga drejtoresha e BKK-së, Blerina Rogova Gaxha, dhe Drejtori i Bibliotekës Kombëtare të Turqisë, Taner Beyoğlu, gjatë Asamblesë së Përgjithshme të Drejtorëve të Bibliotekave Kombëtare të Evropës Juglindore, të mbajtur në Ankara.
Kjo marrëveshje mbështet zhvillimin e aktiviteteve të përbashkëta kërkimore shkencore dhe promovuese në trashëgiminë kulturore të shkruar, bibliotekari dhe botim, konferenca profesionale, trajnime për stafin, vizita studimore, si dhe shkëmbimin e materialeve në fushën e shkencës, artit, historisë dhe letërsisë. Po ashtu përfshihet shkëmbimi i materialeve bibliografike në nivel ndërkombëtar, promovimi dhe zhvillimi i koleksioneve.
Palët do të inkurajojnë bashkëpunimin dhe shkëmbimin e përvojave, njohurive në lidhje me teknologjinë e informacionit, shërbimet bibliotekare dhe praktikat digjitale, si dhe koleksionimin e botimeve elektronike./KultPlua