Gonxhja uron në 82-vjetorin e lindjes Alush Shimën, “Mjeshtrin e Madh” të artit shqiptar

21 Tetor, 2024 - 9:41 pm

Piktori i njohur shqiptar Alush Shima feston sot 82-vjetorin e lindjes.

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja uroi sot Shimën me rastin e ditëlindjes, të cilin e cilësoi si “mjeshtri i madh i artit shqiptar”.

“Me një karrierë të mbushur me vepra që sfiduan kufijtë e artit gjatë regjimit komunist, Shima pikturoi fshehurazi për dy dekada, duke mbetur një zë i fuqishëm i artit të lirë. Pas vitit 1990, veprat e tij dolën në dritë në Galerinë Kombëtare të Arteve, ku u shfaqën për publikun. Nderuar me titullin “Mjeshtër i Madh” në vitin 2012, ai vazhdon të kontribuojë në artin shqiptar me krijimet e tij unike”, shkruan Gonxhja.

Piktori Alush Shima lindi më 21 tetor 1942, në një familje me origjinë nga Kuçi i Vlorës, por e ardhur në Tiranë, në vitin 1927. Ishte vetëm 8 vjeç kur Alush Shima nisi të vizatonte. Piktura ishte një pasion i madh edhe për babain e tij, i cili shpesh për të nxitur të voglin e tij drejt këtij rrugëtimi organizonte konkurse mes tyre. Arsimin fillor, Shima e kreu në shkollën “Kosova” (1948), Tiranë. Në vitin 1955, mori pjesë në kursin e vizatimit të Pallatit të Kulturës “Ali Kelmendi” me pedagogë, piktorin Sadik Kaceli dhe më vonë Ndoc Kodhelin.

Shima vazhdoi studimet e mesme në Liceun Artistik “Jordan Misja” (1955-1962). Kreu studimet për pikturë në Institutin e Lartë të Arteve (1962-1966), që kishte vetëm dy vjet që ishte hapur në Shqipëri. Ateljeja ku ai studiojë drejtohej nga piktorët Sali Shijaku dhe Nexhmedin Zajmi.

Shima i ri punoi si piktor modelist në byronë e modeleve të ndërmarrjes artistike “Migjeni” në Tiranë. Gjatë kësaj kohe ai realizoi disa tablo me temë historiko-sociale dhe ishte pjesëmarrës vetëm në pak ekspozita kombëtare. Ai ekspozoi për publikun disa tablo kompozicionale, por pas refuzimit dhe kritikave të tablove si: “Skënderbeu”(1968), “Studentja” (1973).

Emri i piktorit Shima është i njohur për artdashësit shqiptarë, së pari si autor i shumë filmave artistikë (piktor filmi dhe kostumesh) të realizuar nga ish-Kinostudioja “Shqipëria e Re” gjatë viteve 1967-90. Mund të kujtojmë filmat “Gjeneral gramafoni”, “Kohë e largët”, “Në shtëpinë tonë”, “Në çdo stinë”, etj.

Në vitin 1999 Shima u nominua për çmimin “Njeri i vitit” (Man of the year) nga Instituti Biografik Amerikan. Më 31 dhjetor 2012, iu dha urdhri “Mjeshtër i Madh” nga ish-presidenti Bujar Nishani./atsh/ KultPlus.com

Të ngjajshme