22 Tetor, 2024 - 11:35 am
Aktiviteti letrar “Ora e Shkrimtarit”, i teti më radhë, u mbajt të hënën, më 21 tetor 2024, në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”. Protagonist i këtij aktiviteti ishte shkrimtari, publicisti dhe profesori universitar, Milazim Krasniqi.
Në praninë e numrit të madh të pjesëmarrësve, mësimdhënësve, shkrimtarëve, veçanërisht të studentëve të Degës së Gazetarisë dhe të Degës së Letërsisë Shqipe të Fakultetit të Filologjisë, por edhe të interesuarve të tjerë, shkrimtari Milazim Krasniqi, foli për përvojën e tij krijuese mbi gjysmëshekullore përmes një kumtese për artin e të shkruarit, me titullin “Letërsia si udhëtim në imagjinatë e në realitet”.
Në fillim të Orës, shkrimtari Ibrahim Berisha, i cili e moderoi këtë aktivitet, bëri një portretizim letrar Milazim Krasniqit, duke e dalluar veprimtarinë e tij letrare dhe kulturore në shumë fusha, veçmas në fushën e letërsisë. Berisha, në pika të përgjithshme e veçoi profilin krijues të Krasniqit, në radhë të parë, si poet, dramaturg, studiues i letërsisë, publicist etj., duke thënë se kontributi i tij në letërsinë shqipe, e bëri më të dallueshmin nga shkrimtarët e brezit të viteve tetëdhjetë të shekullit të kaluar, por edhe më gjerë.
Në fillim të fjalës së tij, Krasniqi theksoi se “kur flet shkrimtari për veten është mision i vështirë, duplifikim i rrëfimit, sepse në instancë të fundit çdo fjalë e veprës së tij flet pikërisht për të. Ndërsa kur shkrimtari flet për veprën e vet, ajo paraqet një lloj përsëritjeje, ngase vepra flet për vetveten. Megjithatë, shkrimtari mund të flasë e duhet të flasë për veten e veprën e vet, sepse ai e njeh më së miri veten dhe veprën e vet. Shembull ilustrues janë autobiografitë e shkrimtarëve dhe gjithsesi edhe fjalët e shkrimtarëve në raste aktivitetesh e solemnitetesh”.
Pastaj, Krasniqi tha se është një moment i veçantë kur flitet për përvojën letrare dhe për procesin krijues, duke shtuar se “në këtë orë diskutimi do t’ua shpalos një pjesë të raportit tim me letërsinë, që nga fëmijëria e deri në kohën tonë, kur letërsia po u ekspozohet ndryshimeve nën presionin e medieve të reja, rrjeteve sociale, post-truuthit, intelegjencës artificiale. Por po ia nis nga fillimi, nga takimi im me letërsinë në vitet 60 të shekullit XX, gjë që mund të fillojë edhe në stilin e përrallës, “na ishte njëherë…”
Në fjalën e tij, Milazim Krasniqi, shpalosi kujtime dhe përjetime për periudha, kohë e rrethana të ndryshme, duke u përqendruar te fillimet e tij krijuese, për momentet e botimit të poezisë së parë në gazetën për fëmijë, si dhe për botimin e librit të tij të parë me poezi “Imazhi gri” (1982). Më tutje, foli për rëndësinë dhe vlerën e shkrimit që e rritë vetëbesimin, për lidhjet emocionale me librin dhe leximin, në fakt për mesazhin që mund të jap poezia, pastaj për ardhjen e tij në Prishtinë, për jetën letrare në Kosovë në vitet 70 dhe 80, për t’u ndërlidhur me periudhën e studimeve ku disa prej shkrimtarëve të njohur i kishte profesorë, si Hasan Mekuli, Latif Berisha, Enver Gjerqeku, Rexhep Qosja.
Gjithashtu, evokoi kujtime nga bashkëpunimi i tij me Ibrahim Rugovën në periudhën e viteve 1988-1999, në kohën kur Rugova ishte kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, ndërsa Krasniqi ishte sekretar i saj.
Në vijim të paraqitjes së tij, në esenë “Letërsia si udhëtim në imagjinatë e në realitet”, pas shpalosjes së përvojës së tij si poet dhe studiues i letërsisë, Krasniqi foli për procesin e të shkruarit të dramës. Ndër të tjera, theksoi se “drama kërkon kulturë letrare, përvojë jetësore dhe energji për të shkruar. Për të shkruar dramë më janë dashur disa njohuri themelore teorike. I kam gjetur te Platoni, Aristoteli, Nikolla Boalo, Bertolt Brehti. Platoni gjithë artin e cilëson si imitim (mimesis). Edhe drama e teatri janë imitime të realitetit jetësor. Bashkë me kulturën letrare, përvojën jetësore dhe energjinë për të shkruar, është i domosdoshëm edhe frymëzimi”.
Në esenë e tij, Milazim Krasniqi, përmendi edhe zhvillimin teknologjik në raport me sfidat e librit përbrenda këtij pikëshikimi, duke thënë se “në kohën e tashme letërsia është nën presionin e teknologjive të reja dhe të komunkimimeve të reja. Libri i epokës së Gutenbergut po zëvendësohet me librin elektronik, komunikimi i kulturuar po zëvendësohet nga komunikimi vulgar. Në këto rrethana edhe letërsia do të detyrohet të përshtatet, të ndryshojë në disa parametra”.
Përvoja e tij në artin e shkruarit, kohëve të fundit është orientuar në një lloj tjetër të shkrimit. Krasniqi tha se “ka disa vite që e kam përshtatë shkrimin me mediet e reja dhe me rrjetet sociale. Shkruaj tvit-tregime, pra tregime të vogla me 140 shenja, aq sa është teksti në tviter, në platformën X. Arsyeja është se njerëzit tash lexojnë pak, duan tekste të shkurtëra.
Një formë tjetër të tekstit e kam përshtatur portretin, duke marrë nga portalet disa personazhe reale dhe i kam portretuar si personazhe letrare. Në librin tim me titullin “Rruga për në shtëpinë e shpëtimit” i kam bërë këto eksperimente. Në momentin që po flasim në gjuhën shqipe tritregimin
e shkruaj vetëm unë. Shpresoj se ndokush nga ju do të më bashkoheni së shpejti”, tha ndër të tjera, Milazim Krasniqi në Orën e Shkrimtarit, organizuar nga PEN Qendra e Kosovës
Në fund të aktivitetit u zhvillua një bashkëbisedim i shkrimtarit me pjesëmarrësit, me ç’rast u diskutua për shumë çështje, dukuri dhe fenomene të letërsisë shqipe në përgjithësi, për rëndësinë që ka leximi sot, për vlerën që ka puna në çdo dimension të jetës, pastaj për edukimin e gjeneratave të reja etj.
Projekti Ora e Shkrimtarit është përkrahur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Republikës së Kosovës./KultPlus.com