Arkivi personal i Besim Sahatçiut pjesë e Arkivit Publik

23 Tetor, 2024 - 7:23 pm

Në vazhdën e proceseve të grumbullimit dhe digjitalizimit të arkivave të ndryshme të indvidëve dhe institucioneve të ndryshme që kanë formësuar jetën artistike, intelektuale si dhe trashëgiminë kulturore në Kosovë, Kino Lumbardhi është në përfundim të procesit të digjitalizimit të arkivit personal të regjisorit të mirënjohur Besim Sahatçiu.

Besim Sahatçiu, si figurë kyçe e kinematografisë së shekullit XX në Kosovë, ka lënë pas një arkiv të organizuar me kujdes, duke ofruar dëshmi audio/vizuale dhe materiale përgjatë momenteve të ndryshme të karrierës së tij, duke filmuar dokumentarë, filma artistikë, vepra në teatër si dhe kujtime apo mirënjohje të ndryshme me të cilat është vlerësuar gjatë jetës së tij.

Sahatçiu lindi në Pejë në vitin 1935 dhe ndërroi jetë në vitin 2005. Veprimtaria e tij shtrihet gjërësisht në artet skenike dhe kinematografi duke qenë ndër dokumentaristët e parë në Kosovë, duke punuar në filma tanimë kult në kinematografinë e Kosovës si dhe duke cekur kontributin e tij në teatër. Më herët Fondacioni Lumbardhi e trajtoi këtë trashëgimi përmes Ansamblit Eksperimental të Lumbardhit, i cili nën udhëheqjen e Ilir Bajrit kompozoi dhe performoi kolona zanore për dokumentarët ikonik “117” dhe “Pehlivanët”.

Digjitalizimi i arkivit të Besim Sahatçiut u bë me bashkëpunimin dhe mbështetjen e familjes së tij, bashkëshortes Besa dhe djemve Besnik Sahatçiu dhe Bekim Sahatçiu, të cilët e ndanë me në këtë arkiv që ai të jetë i qasshëm për të gjithë, duke hapur mundësi për studime dhe interpretime të mëtutjeshme të punës së tij.

Arkivi Publik mbështetet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Të ngjajshme