Konferencë shkencore mbi përdorimin e inteligjencës artificiale në funksion të bibliotekave

25 Tetor, 2024 - 3:15 pm

Përfaqësues nga Akademia e Shkencave morën pjesë në konferencën ndërkombëtare “COBISS 2024” organizuar nga Instituti i Shkencave të Informacionit në Maribor, Slloveni.

Në këtë konferencë ishin të pranishëm më shumë se 200 pjesëmarrës, nën moton “Të punojmë së bashku për të ndërtuar besim dhe zhvillim në shkencë”.

Në konferencë referuan ekspertë të njohur kombëtarë dhe ndërkombëtarë në fushën e teknologjisë së informacionit, përfaqësues të bibliotekave të rajonit dhe më gjerë, si dhe përfaqësues të institucioneve kërkimore të Sllovenisë.

Kjo ishte konferenca e 24-të COBISS, ku referuesit adresuan çështje aktuale dhe prezantuan tema bashkëkohore lidhur me mundësinë e përdorimit të inteligjencës artificiale në platformat digjitale që përdorin bibliotekat në shërbimet e tyre ndaj përdoruesve, diskutime mbi aksesin e shërbimeve për grupet me aftësi të kufizuar, prezantimin dhe promovimin e shërbimeve të reja COBISS Ela, COBISS Lib, COBISS Cat dhe COBISS+.

Në prezantimin e këtij viti në Konferencën COBIS 2024, drejtuesja e qendrës QKPISH, Mirlona Buzo, u paraqit me punimin e saj “Krijimi i Qendrës për Koordinimin dhe Përhapjen e Informacionit Shkencor (QKPISH) – sfida dhe perspektiva”.

Të pranishmit u njohën me risitë dhe funksionet e kësaj qendre për institucionalizimin e sistemeve të informacionit COBISS.al dhe ECRIS.al, si dhe për konsolidimin e rrjetit të përbashkët të të dhënave për kërkimin shkencor dhe zgjerimin e rrjetit të bibliotekave në Shqipëri.

Qendra do të inkurajojë integrimin e përmbajtjes digjitale në faqet e internetit dhe pajisjet celulare në përshtatje me aplikacione dhe mjete te reja.

Konferenca u ofroi një mundësi pjesëmarrësve të shkëmbejnë praktika, të ekspozojnë arritjet dhe adresimin e sfidave të përbashkëta për të ardhmen./ KultPlus.com

Të ngjajshme