Dita Botërore e Operës, TKOB aktivitet me nxënësit e shkollave “Emin Duraku” dhe “Dora d’Istria”

25 Tetor, 2024 - 6:37 pm

Në Ditën Botërore të Operës, një aktivitetet artistik ka bërë bashkë nxënësit e dy shkollave në kryeqytet, “Emin Duraku” dhe “Dora d’Istria”, të cilët u bashkuan me stafin e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit për të zbuluar magjinë e prapaskenave të këtij institucioni.

“Pasi ndoqëm pak nga provat regjisoriale të operës “Tosca,” e cila vjen këtë fillim nëntori në TKOB, vizituam arkivin, ku përveçse mësuam shumë gjëra të reja për operën, u surprizuam edhe nga Papageno dhe Papagena nga opera “Flauti Magjik”, të cilët po i bënin rrengje njëri-tjetrit.

Më pas, vërshuam drejt skenës, ku Serpina nga opera “La Serva Padrona” po kërkonte të gjente Umberton dhe na la edhe ne një porosi për të, nëse e shikonim korridoreve. Për të mësuar më shumë mbi operën, u futëm së bashku në zemër të teatrit, aty ku skenografitë dhe kostumet marrin jetë. Në fund, njëzëri, lamë një mesazh për të gjithë miqtë tanë të vegjël: “Ejani në Opera!””, mbyllet kështu thirrja e TKOB-së në këtë ditë të rëndësishme për Operën si zhanër artistik, por jo vetëm./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme