27 Tetor, 2024 - 9:00 am
Roza Anagnosti, vajza e bukurisë së kristaltë që u bë një nga ikonat e artit tonë skenik, për të mbetur sërish një hir vezullues.
Foto e rinisë, dëshmimi në celuloid i një kohe pa kthim, aradha e vajzës që sfidoi me talent dhe kumtin interpretues që spikat, janë tërësorja e një kujtese dhe urimi, sot në ditëlindjen e Roza Anagnostit. Vajza që nuk u mjaftua vetëm me privilegjin e natyrës, por kërkoi që këtë lëndë të nyjshme ta shndërronte në formatin e një identiteti artistik që në kohëpaskohje erdhi duke konsoliduar, për t’u bërë një nga emblemat e artit tonë skenik. Parakalim në ndërmendjen fotografike të rinisë së Roza (Xhuxha) Anagnosti, i bukurisë së kristaltë të shkodranes që u bë një nga ikonat e artit tonë skenik, është një cytje në kohë e një bukurie dhe një shkasi që rrjedhimisht solli ambicien dhe triumfet skenike.
Ishte dhe mbeti e bukur, si në fotografi, në skenë dhe në përditshmërinë e vajzës së dlirë dhe gruas së përkorë, aktores së talentuar dhe bashkëshortes së dinjitetshme të një regjisori të madh. Luftoi, u përpoq, sfidoi dhe arriti, i’a dorëzoi veten një karriere të suksesshme skenike dhe kinematografike.
Ajo është një hir që edhe sot pas 80 vitesh nuk ka mundur mosha ta zbresë nga piedestali, edhe pse ka lejuar që vitet të rishkruajnë në dritat e një skalitjeje fryme, portretin e Rozës artiste.
Për një njohje më të themeltë të aktores kam huajtur sikurse fotot edhe një nga teksti i mikut tim, Xhahid Bushati të botuar në shqiptarja.commë 1 shtator 2019. Roza Xhuxha – Anagnosti ka lindur, më 27.10.1943, në Tiranë. I ati qe oficer karriere, ndërsa e ëma shtëpiake. Pas vitit 1944, familja Xhuxha vjen të jetojë në Shkodër. Në këtë qytet jetonte familja e gjyshit nga nëna.
Në Shkodër, Roza përfundoi shkollën fillore, më pas të mesmen, shënon Bushati.
Që e vogël shquhej si këngëtare dhe balerinë, të cilat do të rrezatonin në vitet që do të vinin. Ajo është mirënjohëse për jetë mësuesve të palodhur, si: Leonard Deda, Hilë Shahini, Tonin Harapi (në Shtëpinë e Pionierit); kompozitorit Prenkë Jakova (në Shtëpinë e Kulturës). Në kujtimet e saj, Roza shkruan: “… më cilësuan si një vajzë me talent në të ardhmen, ndonëse, më pas ëndrrat nuk i pata të lehta”, vijon ai.
Dënimi i të atit, përjashtimi nga Liceu do të ishin tragjike për jetën e Rozës, e cila donte të bëhej artiste dhe kishte plot ëndrra. Mbi të, nënën dhe motrën do të rëndonin varfëria dhe pasojat e luftës së klasave. Roza vazhdoi gjimnazin “29 Nëntori”. Në të njëjtën kohë jepte dhe provimet me korrespondencë në Liceun Artistik (dega e artit dramatik). Në vitin 1965 diplomohet. Një rreze drite e ftoi për të vazhduar rrugën e bukur të artit. Bëhej fjalë për vitin 1958, kur ishte nxënëse në shkollën e mesme. E ftojnë në premierën e parë të teatrit të estradës. Më pas edhe në teatrin dramatik, në pjesën “Kunora e Nurijes” e dramaturgut Kolë Jakova, me regji të Lec Shllakut.
Në vitin 1961 babai i Rozës lirohet nga burgu. Artistja Xhuxha (Anagnosti) përveç skenës teatrore, pushton dhe ekranin. Ajo interpretoi plot role që shkëlqejnë në panteonin e teatrit dhe filmit shqiptar, por rrugëtimin e saj artistik që e nisi në skenën e Teatrit “Migjeni” të Shkodrës, nuk do ta harrojë… Dhe mirënjohjen Roza nuk e harroi. Pas shumë e shumë vitesh ajo erdhi për të lënë “dëshminë” e saj përmes arkivit të pasur e lavdiplotë.
Duke kujtuar filmin, Roza rrëfen përsëri: “Bashkëpunimi im i parë me regjisorin Hysen Hakani është në filmin ‘Toka jonë”. Ai mbetet në kujtesën time shumë i veçantë. Në këtë film Dhimitri ishte operator. Në këtë film ne u njohëm dhe në fund të tij u fejuam me Dhimitrin. Më pas krijuam dhe familjen tonë. Është një film që ka shumë poezi në të gjithë drejtimet. Për mua ai ishte një rol shumë i bukur. Më pëlqente shumë. Regjisori Hysen Hakani kishte shumë humor, ishte kërkues, kishte mënyrën e tij të punës. Në ato vite kishim shumë pak regjisorë. Në fillim kam xhiruar filmin “Detyrë e posaçme” me regjisorin Kristaq Dhamo. Më pas kam xhiruar me regjisorin Hysen Hakani, për të vijuar me xhirime me Viktorin dhe Dhimitrin, e në vijim filma të tjerë. … Po kujtoj një rol tjetër, atë të Files. Roli i Files ishte një karakter shumë i veçantë dhe, unë, pasi bëra kinoprovën, fitova. Në këtë film interpretonte ajka e aktorëve shqiptarë. Përmend këtu aktoren Tinka Kurti që ishte fantastike dhe unë e ëndërroja në atë kohë. Në kohën kur u xhirua filmi isha vetëm 19 vjeçe. … Në atë vit, kur unë kam bashkëpunuar me regjisorin Hysen Hakani isha aktore në teatrin e qytetit të Shkodrës. Ai më kishte parë në teatër dhe më ftoi të bëja një kinoprovë… Filmi “Ndërgjegjja” ishte i këndshëm. Në këtë film isha në rolin e një mësueseje të re. Në film kishte skena dashurie të kohës së atëhershme, kishte romantizëm. Përderisa regjisori Hysen Hakani më mori sërish të interpretoja, besoj se kishte mbetur i kënaqur nga unë në këtë film.”
Rolet…
Roza (Xhuxha) Anagnosti vazhdon të ngjit shkallët e teatrit “Migjeni”. Kalon korridorin dhe i afrohet skenës…, skenës së njohur. Si një imazh, që papritur bëhet real e përmallues, nga arkivi që ka pranë vetes “zgjohen” personazhet që interpretoi… Roza “dorëzohet”… dhe kujton interpretimet në vite, si te: “Dy binjakët Venecianë” (11.01.1959, në rolin e Kolombinës –dublante), “Kunora e Nurijes” (15.03.1959, në rolin e Nurijes, dublante me Tinka Kurtin. Roza këtë rol e ka luajtur 63 herë, kurse Tinka e ka luajtur 19 herë), “Trumpetjerja” (15.07.1959, roli: Zoja Paramanova), “Maskat” (02.07.1960, në rolin e Martës), “Nora” (28.12.1960, në rolin e Norës), “Histori irkutase” (05.04.1961, Zinka), “Gjuetarët e ujqërve” (21.06.1961, Barbulla), “Këneta” (06.11.1961, R. Mushi), “Mësuesja” (07.03.1962, Mësuesja), “Bileta e llotarisë” (09.05.1963, Burbuqja), “Përtej pragut” (27.05.1964, Fata), përfundon Xhahid Bushati.
Ky panoramim njohës është një vlerë trashëguese e thesareve të gjalla të artit tonë skenik dhe i personalitetit interpretues dhe njerëzor të Roza Anagnostit. Kujtesa na ysht në mirënjohje për çfarë kjo aktore dha përmes kontributit të saj interpretues. Ditëlindja na thërret që ne t’i rijetëzojmë ato momente të bukura që ajo na dhuroi përmes roleve dhe karaktereve, personazheve dhe identiteteve që ajo shpirtëro artistikisht. / Albert Vataj /KultPlus.com