Kumbaro: Historike, 6 fluturime direkte nga Italia në aerodromin e Gjirokastrës

28 Tetor, 2024 - 11:35 am

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ka ndarë pamjet nga aerodromi i Gjirokastrës, që tashmë është në funksion të fluturimeve sportive turistike direkte nga Italia.

“Një ngjarje historike për aerodromin e Gjirokastrës në të cilin për herë të parë u kryen gjashtë fluturime direkte nga Italia, duke reduktuar kostot, kohën dhe duke e bërë Gjiron një destinacion ekskluziv për fluturimet sportive e turistike”, thuhet në postimin e Kumbaros në rrjetet sociale.

Vendosja në funksionim e këtij aerodromi, ka ndikim të rëndësishëm në jetën social-ekonomike të rajonit të Gjirokastrës. Rijetësimi i aerodromit të Gjirokastrës i vjen në ndihmë zhvillimit të biznesit prodhues dhe tregtar që operon aktualisht në këtë zonë si dhe shkëmbimeve në fusha të ndryshme.

Aerodromi i Gjirokastrës ka një histori gati njëshekullore. Fluturimet e rregullta në të kanë nisur zyrtarisht në vitin 1929 me linjën ajrore Tiranë-Gjirokastër-Tiranë. Në funksion të vetë zhvillimeve historike, politike, sociale, ekonomike të vendit tonë edhe fluturimet në aerodromin e Gjirokastrës do të ishin ato për transportin e pasagjerëve, postës, fluturime për qëllime ushtarake, tregtare, diplomatike, madje edhe në rastet e emergjencave civile.

Qyteti i gurtë tashmë është pjesë e Listës së Trashëgimisë Kulturore Botërore nën Mbrojtjen e UNESCO-s, duke bërë që Gjirokastra të jetë një nga qendrat më të rëndësishme të turizmit kulturor gjithëvjetor, me një rritje të vizitorëve nga viti në vit.

Aerodromi i Gjirokastrës ndodhet në një distancë prej më pak se 1 km nga ana lindore e qytetit dhe shumë afër rrugës nacionale./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme