Qeveria miraton projekt-buxhetin 3 miliardë e 608 milionë euro për vitin 2025

30 Tetor, 2024 - 5:30 pm

Qeveria e Kosovës ka miratuar Projekt-buxhetin për vitin 2025, që do të kap vlerën prej 3 miliardë e 608 milionë euro.

Kryeministri Albin Kurti tha se krahasuar me buxhetin e vitit të kaluar, ka rritje për rreth 300 milionë euro apo 8.87 përqind.

Kurt shtoi se miratimin e këtij projekt-buxheti po shënojnë rekord historik si qeveria e parë që e çon mandatin deri në fund dhe miraton katër buxhete vjetore.

“Ky buxhet është për të gjithë, ashtu siç ështe edhe qeverisja jonë. Ky do të jetë buxheti i katërt për këtë mandat, por i pari për mandatin që na pret”, ka deklaruar Kurti.

Ai ka bërë me dije edhe se ku do të shkojnë këto mjete.

Nga ky buxhet, Kurti tha 961.5 milionë euro do të shkojnë për pagat e sektorit publik, duke përfshirë edhe rritjen e pagave që prezantuan në konferencën e djeshme.

“Tek kategoria mallra dhe shërbime kemi planifikuar që 105 milionë euro ti ndjamë për nevojat e shëndetësisë. 87 milionë euro tjera i kemi planifikuar për nevoja të sigurisë e të mbrojtjes që do të shkojnë në municion, pajisje e furnizime të nevojshme ashtu që Policia e ushtria ti kryejnë detyrat me efikasitet të plotë”, shtoi Kurti9.

100 milionë euro tjera tha se janë buxhetuar për mbulimin e rritjes së pensioneve.

“Për pensionistët tanë kemi buxhetuar edhe 100 milionë euro tjera shtesë për të mbuluar rritjen e pensioneve prej 20 përqind. 60 milionë euro të tjera janë shtuar tek skema e shtesave për fëmijë për të mbuluar rritjen e shtesave që e bëmë para tre muajsh”, shtoi Kurti.

Për investimet kapitale në infrastrukturë, Kurti tha se janë ndarë 930 milionë euro që do të shkojnë në rehabilitim e ndërtim të hekurudhave dhe ndërtim të rrugëve rajonale e autostradave, rruga Prizren Tetovë, hekurudha që lidhë me Portin e Durrësit, por edhe lidhja e aeroportit me hekurudhë e linjë të trenit.

“Investimet do ti vazhdojmë edhe në pjesën veriore të vendit”, tha tutje Kurti.

Rritje tha se ka edhe buxheti për mbrojtje.

“Edhe buxhetin për mbrojtje e kemi rritur. Për vitin 2025, që në fillim buxheti i mbrojtjes do të shënojë nivelin prej 2 përqind të Bruto Produktit Vendor me nivelin prej 208 milionë euro”, tha Kurti.

Ndërkohë, buxheti i komunave do të jetë 788 milionë euro.

“Rritje të buxhetit ka pasur edhe për komunat. Me gjithsej 788 milionë euro, komunat do të kenë mbi 240 milionë euro më shumë mbështetje se që kishin para se ne ta merrnim mandatin. Për komunat do të ketë edhe mbështjetje shtesë përmes grantit të performancës”, ka shtuar Kurti. /Express/ KultPlus.com

Të ngjajshme