30 Tetor, 2024 - 10:58 pm
Në kuadër të aktiviteteve për shënimin e 80-të vjetorit të çlirimit të Shqipërisë, Ambasada e Shqipërisë në Kosovë sot ka filluar me shfaqjen e katër filmave historik shqiptar, në Kinemanë ABC, shkruan KultPlus.
Sonte janë shfaqur filmat “Përrallë nga e kaluara”, dhe “Gjeneral Gramafoni”, përderisa nesër pritet të shfaqen filmat “Lulëkuqet mbi mure” dhe “Radiostacioni”.
Në sallën e mbushur plotë adhurues të filmit shqiptar, ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj ka thënë se kjo datë e shënuar përfaqëson sakrificat e popullit shqiptar për liri dhe pavarësi.
“Sot jemi mbledhur të kalojmë një mbrëmje të bukur, në prag të festave të ditës së Flamurit tonë kombëtar, po nga ana tjetër për të kujtuar dhe nderuar 80-vjetorin e çlirimit të Shqipërisë. Një ditë historike që përfaqëson sakrificat dhe përkushtimin e madh të popullit shqiptar, për lirinë dhe pavarësinë e tij, dhe ky përvjetor është një mundësi e artë për të parë jo vetëm historinë tonë të lavdishme, por edhe artin dhe kinemanë që e kanë përjetësuar atë me aq pasion dhe aq mjeshtëri”, ka thënë ambasadori Malaj.
Ambasadori Malaj më tej ka thënë se filmat të cilët shfaqen me rastin e 80-të vjetorit të Shqipërisë paraqesin realitete në të cilat ka kaluar populli shqiptar.
“Arti thotë të vërteta por ndryshe nga filozofia, historia etj. Arti ka një tjetër gjë jo aq të drejtpërdrejtë se sa të tërthortë, është gjuha e tij, nënkuptimi, ajo që fshihet pas një fjale, pas një ngjarje, pas një fati. Alegoria, metafora, simboli janë ato që e krijojnë shumë kuptimësinë në art. Ato që nga konkretja e prekshmja dhe e përsëritshmja kalohen tek e përgjithshmja, abstraktja dhe e papërsëritshmja”, ka shtuar ambasadori.
Për filmin e cili do të shfaqej pas pak “Përrallë nga e kaluara”, ambasadori Malaj ka thënë se përmes karaktereve të tij dhe skenave të papërsëritshme ai kapërcen kohën duke u bërë pjesë e kujtesës kolektive dhe një simbol i përhershëm i shpirtit shqiptar.
Ky film i realizuar në vitin 1987, me regji të Dhimitër Anagnostit vazhdon të jetë një ikonë e kinematografisë shqiptare, i cili ofron një pasqyrë të thellë të jetës patriarkale dhe zakoneve të tradicionale të shoqërisë shqiptare.
“Një djalë i detyruar të martohej në moshë të re dhe një vajze të zgjuar që vë në lojë gjithë një fshat për të drejtën e saj, për dashurinë e saj të jetës. Anagnosti ka ndërtuar një vepër që shfaq me elegancë kontradiktat dhe anët komike të kësaj shoqërie ndërthurur me sfidat e jetës së grave të asaj kohe”, ka thënë ambasadori Malaj.
Ndërsa, filmi tjetër i cili u shfaq i dyti me radhë, “Gjeneral Gramafoni”, është një film që sjellë një pasqyrë të pasur të identitetit kulturor e kombëtarë, duke e shpërfaqur edhe rolin që muzika dhe kultura kanë luajtur gjithmonë në jetën e shqiptarëve.
“”Gjeneral Gramafoni” nga regjisori Viktor Gjika trajton temën e patriotizimit të rezistencës dhe përpjekjes për të ruajtur vlerat kombëtare përmes artit edhe kur kushtet janë të vështira nën presionin për depërtim kulturor të Italisë fashiste, përmes karaktereve të muzikantëve të interpretuar me mjeshtëri nga Bujar Lako, Kadri Roshi dhe grupi i aktorëve të tjerë që janë aty. Përcillet një mesazh i forcës shpirtërore dhe i qëndresës së popullit shqiptarë për të asimiluar muzikën e tyre”, ka thënë ambasadori Malaj duke i ftuar të gjithë të shijojnë filmat.
“Le të jetë ky një moment nderimi për të gjithë ata që kontribuan në realizimin e këtyre veprave të të çmuara por edhe një përkujtim për vlerat dhe saktificat e brezave që u përkushtuan për Shqipërinë e lirë”.
Nesër do të vazhdojë shfaqja e filmave “Lulëkuqet mbi mure” (18:00) dhe “Radiostacioni”(20:00) , në kinemanë ABC./ KultPlus.com