OSHEE: Nuk ka rritje të çmimit të energjisë për furrat e bukës, çdo lëvizje abuzive

2 Nëntor, 2024 - 6:00 pm

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) bën të ditur se nuk ka asnjë rritje të çmimit të energjisë elektrike për furrat e bukës.

Sipas OSHEE-së, skema e faturimit për këto subjekte ka hyrë prej muajit prill dhe është përcaktuar pas dakordësisë së plotë me vetë subjektet.

OSHEE sqaron se koncepti i “orarit pik”, i cili po diskutohet kohët e fundit është një koncept specifik i vendosur që në vitin 2016 nga ERE, si institucioni i ngarkuar me ligj për përcaktimin e tarifave në sektorin e energjisë.

“Orari pik” gjatë të cilit aplikohet çmimi për energjinë e konsumuar është: për periudhën 1 nëntor – 31 mars nga ora 18:00 deri në 22:00. Për periudhën 1 prill – 31 tetor nga ora 19:00 deri në 23:00.

Vetëm gjatë “orarit pik”, për subjektet private, çmimi është 15% më i shtrenjtë se çmimi i zakonshëm.

Koncepti i “energjisë pik” është një koncept ndërkombëtar, i përdorur në gjithë Europën dhe më gjerë. “Orari pik” është orari kur konsumi i energjisë është më i lartë dhe çmimi i energjisë në tregje është mjaft i lartë. Prandaj entet rregullatore ndërhyjnë me masa të tilla që të favorizojnë uljen e konsumit në këto orare.

Pas disa raportimeve në medie se prodhuesit e bukës do të rrisnin çmimin e bukës në treg, OSHEE sqaron se asgjë nuk ka ndryshuar nga data 1 nëntor. Vendimi i ERE për “energjinë pik” është i zbatueshëm që nga viti 2016 për gjithë subjektet private që kanë të instaluar matës inteligjent (vetëm matësit inteligjent janë të aftë të lexojnë konsumin sipas orareve).

Si rrjedhojë, çdo rritje e çmimit nga subjektet e furrave të bukës është i padrejtë dhe abuziv.

Sipas të dhënave nga OSHEE, aktualisht janë rreth 1600-1700 furra bukë të regjistruara si të tilla. Për sa i përket periudhës 2018-2024 mesatarja mujore e subjekteve furra buke të cilat janë tarifuar me “çmimin pik” është si më poshtë:

Për vitin 2018 janë tarifuar 11 subjekte; për vitin 2019 janë tarifuar 87 subjekte; për vitin 2020 janë tarifuar 86 subjekte; për vitin 2021 janë tarifuar 95 subjekte; për vitin 2022 janë tarifuar 120 subjekte; për vitin 2023 janë tarifuar 164 subjekte; për vitin 2024 janë tarifuar 194 subjekte.

Pra çmimi i energjisë në “orarin e pikut” ka filluar të zbatohet për furrat e bukës që nga viti 2016 dhe asnjeherë nuk ka patur ankesa për këtë tarifë.

Skema e tarifimit të energjisë elektrike për prodhuesit e bukës
Që prej muajit prill 2024 kanë hyrë në fuqi tarifat e reja të furrave të bukës. Edhe për këto tarifa është i zbatueshëm koncepti i “orarit pik”.

OSHEE sqaron se në bashkëpunim të ngushtë me Shoqatën e Prodhuesve të Bukës, Pastiçerisë dhe Brumërave, me qëllim aplikimin e drejtë dhe jo diskriminues të çmimeve të energjisë elektrike te furrave te bukes, propozuan në ERE çmime të reja për furrat e bukës.
Këto çmime reflektonin situatën konkrete të biznesit të furrave të bukës, të cilat tashmë ushtrojne edhe aktivitete të kombinuara, si pasticeri, bar kafe, etj.

Kategoritë e miratuara nga ERE në muajin prill 2024 janë si më poshtë:

Kategoria I – vetëm furra buke/prodhim mielli, çmimi i shitjes së energjisë elektrike është 7.6 lekë/kWh.

Kategoria II – furrë buke, produkte mielli shoqëruese, pastiçeri, Çmimi i shitjes së energjisë elektrike është 9.5 lekë/kWh.

Kategoria III – furrë buke, produkte mielli shoqëruese, pastiçeri, shërbim Kafe (ekspres), Çmimi i shitjes së energjisë elektrike është 12 lekë/kWh.

OSHEE thotë se deri në prill të 2024-ës, për kategoritë II dhe III çmimi ka qënë 14 lekë/kWh, pra më i lartë se sa tarifat aktuale të miratuara nga ERE.

Çmimi për furrat e bukës nuk është rritur, ai subvencionohet nga shteti

OSHEE sqaron se çmimi i energjisë elektrike për furrat e bukës dhe kategoritë e bizneseve që prodhojnë produkte buke është i subvencionuar nga ana e shtetit.

Ky çmim nuk reflekton asnjë kosto të energjise dhe qeveria e subvencionon si një masë sociale për popullsinë.

Bashkëpunimi shumë i ngushtë me grupet e interesit, si Shoqatën e Prodhuesve të Bukës, Pastiçerive dhe Brumrave, ka sjellë një tarifim më të drejtë të subjekteve dhe mbështetjen e një konkurrence të ndershme ndërmjet kategorive të ndryshme të furrave të bukës.

Për sa i përket periudhës maj-shtator 2024, numri i subjekteve “furra buke” të cilat faturohen sot janë rreth 1600, të ndarë sipas tre kategorive.

Në kategorinë “furra buke” janë 480 subjekte; në kategorinë “furra buke dhe pastiçeri”, janë 865 subjekte, ndërsa në kategorinë “furra buke, pastiçeri dhe bar kafe” janë 222 subjekte./ KultPlus.com

Të ngjajshme