Golemi për ATSH-në: Mbi 400 mijë turistë vizituan Gjirokastrën, interes i lartë edhe për muajt në vijim

3 Nëntor, 2024 - 6:30 pm

Gjirokastra mirëpret në çdo stinë të vitit turistë nga vendi dhe shtete të ndryshme të botës. Edhe në këto ditë vjeshte qyteti i gurtë dhe rrethinat vazhdojnë të jenë pika të preferuara në guidat turistike.

Kalaja e gurtë, Pazari karakteristik, muzeumet, Parku Natyror i Viroit, siti arkeologjik i Antigonesë, bukuritë natyrore dhe vlerat e traditës në zonat e Lunxhërisë, Cepos, etj, tërheqin një numër të lartë vizitorësh.

Kryetari i bashkisë së Gjirokastrës, Flamur Golemi tha në një intervistë për ATSH-në se “përgjatë gjithë muajit tetor kapacitetet akomoduese kanë qenë të ezauruara, ndërsa ka një interes të lartë nga turistët edhe për periudhën në vazhdim”.

“Bashkia vazhdon organizimin e një programi të larmishëm me aktivitete kulturore dhe artistike, çelje panairesh, koncerte, promovimin e vlerave të traditës të cilat mes të tjerash ndikojnë edhe për rritjen e kohë qëndrimit të turistëve”, theksoi Golemi.

Gjirokastra me vlerat historike, ndërtimore, trashëgiminë kulturore, resurset e pasura si dhe mikpritjen e banorëve gjithmonë e më tepër është një vlerë e spikatur në hartën kombëtare dhe ndërkombëtare të turizmit të qëndrueshëm dhe cilësor.

Mbi 400 mijë turistë vizituan Gjirokastrën

Kryebashkiaku Golemi sezonin turistik të këtij viti në Gjirokastër e cilëson ndër më të suksesshmit e viteve të fundit.

Prej fillimit të 2024 vizitueshmëria në qytetin e Gjirokastrës dhe rrethinat kanë qenë mjaft e preferuar në itineraret e turistëve vendas dhe të huaj.

“Kemi pasur një vit të mbarë turistik, ndërsa po regjistrohen mbi 400 mijë turistë, të cilët kanë vizituar qytetin dhe zonat rurale të bashkisë Gjirokastër. Ajo çka është e veçantë për Gjirokastrën është se rreth 70 % e turistëve janë vizitorë të huaj nga vende të ndryshme të botës”, nënvizoi Golemi.

Sipas tij, pjesa më e madhe e tyre udhëtojnë me grupe të organizuara, por konstatohet edhe një rritje e numrit të turistëve që preferojnë të udhëtojnë në mënyrë individuale, me familjen ose në grupe të vogla.

“Natyrshëm numri më i lartë i turistëve është regjistruar gjatë periudhës së verës dhe kryesisht në muajt korrik dhe gusht, por falë zhvillimit të turizmit gjithëvjetor kemi pasur fluks të turistëve edhe gjatë stinës së pranverës si dhe tani në periudhën e vjeshtës”, theksoi Golemi.

Rritje e kapaciteteve akomoduese për turistët

Kryebashkiaku Golemi u shpreh se “zhvillimi i turizmit të qëndrueshëm ka ndikuar pozitivisht në ekonominë lokale jo vetëm në bizneset me profil turistik, por në tërësi në aktivitetin ekonomik të rajonit jugor”.

“Një fakt i tillë ka sjellë çeljen e  vendeve të reja të punës si dhe rritjen e të ardhurave ekonomike për familjet gjirokastrite”, tha  ai.

Golemi bëri të ditur se “tashmë në qytet dhe rrethinat numërohen rreth 250 hotele dhe bujtina karakteristike, të cilat ofrojnë kushte cilësore për akomodimin e vizitorëve”.

“Një rritje të numrit të bizneseve të reja kemi pasur edhe në sektorin e shërbimeve, lokale, bare, restorante ndërsa kemi një rikthim të interesit të fermerëve për zhvillimin e agroturizmit. Në këtë kuadër janë çelur bujtina tradicionale në zonat rurale kryesisht me profil familjar ndërsa është rikthyer vëmendja edhe për prodhimin bujqësor vendas në vreshtari dhe frutikulturë”, nënvizoi Golemi.

Kryetari i bashkisë tha se “zhvillimi i turizmit po jep ndikim mjaft pozitiv në ekonominë lokale në tërësi si për sa i përket vendeve të reja të punës dhe të ardhurave ekonomike të përfituara nga banorët”.

Gjatë këtij viti Gjirokastra ka qenë një ndër destinacionet më të kërkuara dhe kryesore për turizmin, jo vetëm në rang kombëtar, por edhe më gjerë. Ajo po renditet përherë e më shumë në qytetet elitare të turizmit shqiptar, duke thithur një numër gjithnjë në rritje të turistëve./atsh/ KultPlus.com

Të ngjajshme