4 Nëntor, 2024 - 10:01 am
Një shfaqje unike me muzikë të përzgjedhur ka gjallëruar qytetin e Peshkopisë, duke krijuar një atmosferë festive dhe emocionuese.
Shfaqja erdhi në kuadër të 80-vjetorit të çlirimit, e organizuar nga Big Band, Orkerstra Simfonike e Forcave të Armatosura si dhe Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, duke ofruar një përvojë të re për publikun.
Ky aktivitet kombinonte tingujt e muzikës tradicionale të Big Band-it me ritmet moderne të DJ-ve, duke sjellë një set të veçantë të këngëve patriotike të remiksuara. Aktiviteti erdhi si një bashkim kulturash duke nderuar historinë dhe traditat e vendit në një mënyrë inovative.
Koncerti u pëlqye nga të pranishmit. Peshkopia ishte një ndër ndalesat e turneut që do të përfshijë 6 qytete. Më herët Orkestra Simfonike e Forcave të Armatosura u mirëprit edhe në Elbasan e Tiranë.
Sot Muzeu i Forcave të Armatosura do të organizojë një veprimtari të veçantë, në sheshin para bashkisë në Berat, në kuadër të 80-vjetorit të çlirimit. Një pjesë e ekspozitës me arte-fakte nga Lufta e Dytë Botërore do të zhvendoset për të sjellë më afër publikun dhe për të ndihmuar në përkujtimin e ngjarjeve historike. Aktiviteti do të shoqërohet nga interpretimi i Big Band./atsh/KultPlus.com